Debati nëpërmjet rrjeteve sociale
Braçe replikon me Majkon: Zogu krijoi pushtet gjakatar
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka replikuar dje me kolegun e tij Pandeli Majko për qëndrimet e ndryshme të largimit të Mbretit Zog nga Shqipëria. Dy ditë më parë, ish-kryeministri i vendit, deputeti socialist Pandeli Majko, kishte theksuar në një intervistë televizive se Zogu nuk kishte kryer ndonjë tradhti me largimin e tij, por ky pohim bëri që Erion Braçe përmes rrjetit social “Facebook”, të shpërthente ashpër.
“Ahmet Zogu nuk e ka tradhtuar Atdheun?! Po çfarë i bëri Atdheut, Zogu? E shiti? Po! Rrëmbeu çdo gjë, pasuri dhe mjete monetare? Po! I vrau djemtë më të mirë, burra që edhe sot ndriçojnë në altarin e heronjve të këtij vendi? Po!
Themeloi ‘Monarkinë’, e ktheu në një pushtet gjakatar, abuziv, varfërues, prapambetës? Po!”, shkroi Braçe për të gjithë miqtë dhe mbështetësit në rrjetin social. Ai theksoi se edhe sot në vend është bërë vështirë që të jetosh dhe të militosh si një i majtë, duke deklaruar se të majtët kishin detyrim të mos harronin figurat kontribuuese të kombit shqiptar. “Zotni Gurakuqi, Zotni Prishtina, Zotni Rustemi, Imzot Noli, unë e kam detyrim ta luftoj rivlerësimin e Monarkisë edhe në emrin tuaj”, deklaroi Braçe në rrjetin social, duke përmendur figura të rëndësishme të së majtës të cilët kanë qenë kundërshtarë të fortë të Ahmet Zogut. Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit kanë rihapur dhe debate të mprehta sa i përket rivlerësimit të figurave kontribuuese dhe drejtuese të shtetit shqiptar.
Krijuesi i formulës “pavarësi e mbikëqyrur”
Mustafaj: Trishtim për ftesën e munguar në festën e Prishtinës
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, e konsideroi dje një lajm të mrekullueshëm për të gjithë shqiptarët përfundimin e mikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, por u shpreh i trishtuar se pse pala kosovare nuk e kishte ftuar në ceremoninë e mbajtur me këtë rast. Duke e konsideruar të rëndësishëm kontributin që kishte dhënë për këtë ditë të rëndësishme, Mustafaj nuk harroi të sillte në kujtesë dhe qëndrimet kritike që Faik Konica mbante shpesh për shqiptarët. “Qysh dje, mbikëqyrja ndërkombëtare e Kosovës mori fund edhe formalisht. Ky sigurisht është një lajm i mrekullueshëm për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Nuk e fsheh para miqve të mi se personalisht u ndjeva pak i trishtuar që nuk m’u bë një ftesë të merrja pjesë në atë festë. Me të drejtë ishin ftuar të gjithë ndërkombëtarët që kanë qenë pjesë e rrugës që çoi te kjo formulë shpëtimtare për të ardhmen e Kosovës. Mua nuk m’u dha kjo mundësi as si ‘ndërkombëtar e as si bashkatdhetar’ të jem aty, ani pse, për hir të së vërtetës, jam i pari që e kam formuluar publikisht dhe diplomatikisht dhe e kam mbrojtur me vendosmëri të plotë, qoftë edhe duke e paguar shumë shtrenjtë. Duket si kotësi ky trishtimi im, por më solli në kujtesë fjalët e Faik Konicës për mosmirënjohjen e shqiptareve ndaj shërbestarëve të kombit”, deklaroi Mustafaj përmes rrjetit social “Facebook”, në kuadër të ftesës së munguar në këtë ceremoni të zhvilluar në Prishtinë.
“Kemi ulur taksat për kasat dhe gratë biznesmene”
Qeveria vazhdon fushatën e nisur para kohe
Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli, përmes një deklarate për mediat deklaroi se kreu i qeverisë, në kuadrin e politikave të krijimit të vendeve të punës, nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe lehtësimit të klimës së tij, kishte firmosur dje dy vendime të rëndësishme. Sipas Mëhillit, një nga vendimet e firmosura nga Berisha ishte dhe ai që parashikon uljen me 60% të pagesës vjetore për mirëmbajtjen e kasave fiskale. “Ky vendim parashikon uljen me rreth 60 për qind të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë. Me këtë vendim të ri, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani”, deklaroi Mëhilli, duke shtuar se vendimi u mor për t’i ardhur në ndihmë biznesit. Nga ana tjetër, Mëhilli deklaroi se Kryeministri firmosi vendimin për krijimin e Fondit Grant të qeverisë për financimin e bizneseve artizanale në Shqipëri. “Prodhimet artizanale shqiptare po bëhen gjithnjë e më të preferuara për shqiptarët dhe të huajt.
Ndaj, me këtë fond fillestar prej rreth 50 milionë lekësh, qeveria synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive”, theksoi Mëhilli. Ajo shtoi se qeveria i bën thirrje me këtë rast, të gjitha qeverive vendore, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë.