Gjakmarrja dyshohet se i ka marrë jetën një 49-vjeçari nga Dukagjini. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Vuksanaj, të Komunës Shalë, në Dukagjin.
Sipas policisë së Shkodrës, viktima është shtetasi Marash Tonaj, ndërkohë që nuk ka ende të dhëna për autorin e krimit. Policia është njoftuar nga banorët e zonës dhe menjëherë ka dërguar një grup hetimor drejt vendit të ngjarjes për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e vrasjes së 49-vjeçarit. Mësohet se viktima është i afërm i ish-kryetarit të komunës Shalë, Dede Tonaj, i cili aktualisht mban detyrën e drejtorit të rrugëve rurale në Shkodër.
Vrasja duket se ka qenë e paralajmëruar pasi Marash Tonaj ka qenë emër i njohur për policinë. Viktima dyshohej të ketë qenë bashkëpunëtor në masakrimin e 35-vjeçarit Petrit Lufaj, ngjarje kjo e ndodhur në mars të këtij viti. Kjo ngjarje mbeti e pazbardhur nga policia dhe Prokuroria e Shkodrës, ndërsa dhe pushteti vendor në Komunën e Shalës beri apel që autorët e krimit të viheshin sa më shpejt përpara drejtësisë që të mos shkohej në vetëgjyqësi.
Burime policore pohojnë se motivet e gjakmarrjes mund të lidhen edhe me një vrasje që i vëllai i viktimës, Nik Tonaj akuzohet se ka kryer në vitin 2003 në fshatin Vuksanaj. Ky i fundit akuzohet për ekzekutimin me automatik të 63-vjeçarit Nikë Pjolli dhe bashkëshortes së tij Sula Pjolli, për një vijë uji. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje Nikë Tonaj vazhdon të jetë person në kërkim. Ndaj edhe vrasja e Marash Tonajt mendohet se mund të jetë një hakmarrje për ngjarjen e dyfishtë të 9 viteve më parë.
12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)