Rrezik lufte në rajonin e trazuar, konfliktet e ngrira mund të rishfaqen


Në vijën ndarëse mes Azerbajxhanit dhe enklavës armenase të Nagorno-Karabakh numri i përplasjeve ushtarake është rritur gjatë kohëve të fundit duke shtuar frikën për një rikthim të konfliktit që në fillim të viteve ’90 rrezikoi të ndezë të gjithë rajonin, raporton “Reuters”.


“Nëse e ngre kokën mbi llogore, ata mund të të godasin”, thotë një ushtar etnik armen ndërsa tregon linjat e fortifikatave ushtarake të Azerbajxhanit, 400 metra më tutje.


Konflikti zhvillohet në një zonë malore brenda kufijve të Azerbajxhanit në Kaukazin e Jugut. Lufta e viteve ’90 që pasoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik solli 30 mijë të vdekur.


Azerbajxhani ka shtuar kërcënimet që mund ta zhysin rajonin në luftë, pasi i dha një mikpritje prej heroi një ushtari që qe dënuar për vrasjen e një ushtari armen në një stërvitje të NATO-s ndërsa rreziku është që në konflikt të përfshihet edhe Turqia, Rusia e Irani.


Kur shumica armene në rajonin e Nagorno-Karabakh shpalli pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Armenia kristiane e shmangu luftën e drejtpërdrejtë me Azerbajxhanin mysliman. Tashmë thotë se nuk ka ndër mend të rri mënjanë në rast se enklava që ajo ndihmoi të krijohet, do të sulmohet nga Azerbajxhani.


Që të dyja vendet kanë armë më të fuqishme në dispozicion se dy vjet më parë dhe tashmë kërcënohen naftësjellësit dhe gazsjellësit që dërgojnë energjinë e Azerbajxhanit në Europë, si dhe centrali bërthamor i Armenisë. Një skenar i tillë paralajmëron zgjerimin e konfliktit.


Armenia ka një marrëveshje mbrojtjeje të përbashkët me Rusinë, ndërsa Azerbajxhani ka një të tillë me Turqinë, e cila është gjithashtu vend anëtar i NATO-s.


Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, paralajmëroi se “një konflikt shumë më i madh” mund të vijë kur vizitoi Armeninë korrikun e kaluar ndërsa sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se qe shumë i shqetësuar nga falja që Azerbajxhani bëri për ushtarin e vet pak javë më parë.


Analistët politikë dhe ushtarakë thonë se lufta nuk është e pashmangshme dhe se dëmet që mund të shkaktohen shërbejnë si forcë parandaluese. Por ndërkohë ata po diskutojnë gjithnjë e më shumë se si mund të përfundojë një konflikt i hapur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.


Shkaku më i mundshëm i luftës është ndonjë aksident i dhunshëm në Nagorno-Karabakh ose në kufirin e militarizuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Qershorin e kaluar, nëntë vetë vdiqën në përplasje të tilla.


“Në ndonjë rast të tillë, shkëmbimi i zjarrit mund të mos kufizohet te përdorimi i armëve të lehta”, thotë Rasim Musabayov, anëtar i pavarur i Parlamentit të Azerbajxhanit. “Në një rast të tillë, ekziston rreziku që njëra palë të përgjigjet me sulme ajrore”, shton ai.


Një vendim politik për të filluar një luftë ka më pak gjasa, pavarësisht kërcënimeve të Azerbajxhanit për rimarrje të kontrollit mbi krahinën rebele.


Në rast se lufta fillon, Azerbajxhani ka shumë gjasa që do të rrethojë Nagorno-Karabakh, një rajon me rreth 160 mijë banorë që lidhet me Armeninë përmes një korridori tokësor të ngushtë. Trupat e enklavës dominojnë pikat e larta strategjike dhe kanë vënë mina gjithkund, gjë që e bën të vështirë një sulm të drejtpërdrejtë për ta pushtuar.


“Një faktor bazë është topografia, aftësia e Nagorno-Karabakh për të krijuar një thellësi mbrojtëse. Kjo mund t’i kthejë luginat në fusha vdekjeje. Një sulm i Azerbajxhanit në këtë situatë mund të ketë kosto shumë të lartë”, komenton një diplomat amerikan, njohës i rajonit.


Buxheti që Azerbajxhani shpenzon për mbrojtjen çdo vit është më i madh se i gjithë buxheti i Armenisë, por kjo e fundit ka paralajmëruar se do të kryejë përgjigje “asimetrike” në rast se sulmohet. Një ndërhyrje e tillë do t’i zhysë vendet në kushtet e “shkatërrimit të ndërsjellë” dhe që të dyja kanë shumë për të humbur.


Ndërkohë, në Baku, janë dhjetëra mijëra refugjatë azerë që jetojnë në shtëpi të improvizuara dhe në kushte të vështira që prej dy dekadash, pasi nuk kthehen dot në shtëpi për sa kohë konflikti mbetet i hapur. Të dyja palët besojnë se mund të fitojnë një luftë të re. Por ekspertët thonë se një luftë tjetër do të jetë shumë më tepër shkatërrimtare sesa konflikti i njëzet viteve të shkuara.


Një objektiv i qartë goditjeje për Armeninë mund të jetë gazsjellësi Baku-Tbilisi-Erzurum, si dhe naftësjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan. Të dyja janë në verilindje të Azerbajxhanit, brenda rrezes së veprimit të forcave armene dhe kanë një rol në përpjekjet e Europës për të reduktuar varësinë energjetike nga Rusia. Të dyja palët kanë kapacitete për të goditur drejtpërsëdrejti kryeqytetin e kundërshtarit.


Ndërkohë, frika është që një luftë mes këtyre dy vendeve, do të fusë në konflikt direkt apo indirekt edhe vende të tjera. Njëzet vjet më parë Turqia e mbylli kufirin e vet me Armeninë dhe kufiri është mbyllur dhe hapur disa herë gjatë kësaj kohe. Rusia ka një bazë ushtarake brenda territorit të Armenisë. Por Rusia ka gjithashtu dëshirë që të forcojë marrëdhëniet e veta me Bakun dhe nuk ka interes për të parë konflikt.


Irani, një fuqi tjetër rajonale, qëndroi neutrale gjatë luftës së shkuar dhe ekspertët thonë se ka gjasa që do të mbetet neutrale. Por ekziston rreziku që të përfshihet në konflikt në rast se mallrat vijojnë të qarkullojnë mes saj dhe Armenisë. Përpjekjet për paqe deri tani kanë pasur shumë pak sukses.


Diplomatët thonë se në të gjitha rastet, nëse një konflikt i ri fillon, lufta ka shumë gjasa të përfundojë me barazim. “Azerët nuk mund të rimarrin kontrollin mbi Karabakh, sepse nuk kanë kapacitetet e nevojshme ushtarake për momentin”, thotë ish-ambasadori amerikan në Azerbajxhan. Yusif Agayev, një ekspert ushtarak azer dhe veteran i luftës së parë thotë se për momentin askush nuk ka dëshirë për një luftë të gjatë.


“Një luftë e tillë mund të zgjasë për një apo dy muaj. Kjo është çfarë mund të përballojnë forcat tona ushtarake. Nëse zgjat më shumë, do të duhet të marrë pjesë në luftë e gjithë popullsia dhe tani për tani, nuk besoj se shoqëria jonë është gati për një situatë të tillë”, thotë ai. Konflikti për momentin mbetet i ngrirë.