Tubimi në Durrës


“Ditët e tjera, do të protestojmë bashkë me gratë e fëmijët”


Vali Qyrfyçi


Ndëshkimi kolektiv nga kompania “CEZ-Shpërndarje” ka detyruar banorët e disa fshatrave të Durrësit të dalin në një protestë të madhe, duke bllokuar edhe autostradën nga qyteti bregdetar drejt Tiranës. Pas grumbullimit që në orët e vona të së hënës pranë nënstacionit elektrik të Manzës, ku forcat e policisë kanë krijuar një gardh për të mos lejuar futjen e banorëve në këtë objekt të rëndësisë së veçantë, ata i janë drejtuar superstradës Tiranë–Durrës, ku kanë bllokuar kalimin e automjeteve në të dy krahët e saj. Ndërhyrja e policisë nuk e ka shpërndarë turmën, e cila ka vijuar në këmbë në drejtim të Tiranës, ndërkohë që protestuesit thonë se në ditët e ardhshme, pjesë e protestave do të bëhen edhe gratë e fëmijët, pasi ndërprerja e energjisë elektrike për të gjithë banorët, prej afro një jave, po përkeqëson ndjeshëm jetët e tyre.


 


Marshimi në autostradë


Banorët protestues kanë marshuar nga fshatrat e tyre drejt Sukthit e më pas në superstradë, disa në këmbë për kilometra të tëra dhe të tjerë me makina. Situatë e rënduar është krijuar edhe mbrëmjen e së hënës, kur dhjetëra banorë të fshatrave Hamalle, Kullë, Rrushkull e të tjerë janë grumbulluar rreth nënstacionit elektrik të Manzës, duke kërkuar të futen brenda tij për të kthyer energjinë elektrike në banesat e tyre. Me gjithë situatën e krijuar, “CEZ-Shpërndarje” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, gjë që i ka acaruar më tej banorët e mbetur në errësirë. Ata kanë tentuar të sulmojnë nënstacionin e mbrojtur nga dy roje, ndërsa deklarohet se nuk ka pasur punonjës të tjerë brenda tij. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë së Komisariatit të Shijakut, të cilat në orët e vona të natës kanë kërkuar forca shtesë nga Komisariati i Durrësit për të mbajtur nën kontroll situatën.


 


“Do dalim me familjet”


Burime policore bëjnë të ditur se nga komunikimi me kompaninë “CEZ-Shpërndarje” nuk jepet asnjë rrugëzgjidhje dhe mungesa e reagimit ndaj kërkesës së banorëve për energji i ka bërë më këmbëngulës dhe të acaruar protestuesit që mbanin të rrethuar nënstacionin me thirrjet për kthim të energjisë. Kompania çeke ka ndërprerë furnizimin me energji për qindra familje në fshatrat e Sukthit, si Hamalle, Perlat dhe Rrushkull, të cilat rezultojnë debitorë ndaj saj, ndërsa pavarësisht përplasjeve me banorët e ndëshkuar me terr duket e vendosur për të mos toleruar më debitorët. Për banorët gjendja është mjaft e rëndë dhe cenon ndjeshëm jo vetëm jetën e përditshme, përgatitjen e bukës, ushqimit, furnizimin me ujë, po tashmë dhe edukimin e fëmijëve të tyre që sapo kanë nisur shkollën. Një pjesë e protestuesve shprehen se janë të gatshëm të shlyejnë pjesërisht faturat, pasi janë të papunë dhe pa të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shlyerjet e menjëhershme, ndërkohë që ankohen se sportelet e CEZ-it për pagesat janë larg vendbanimit të tyre. Ata duhet të udhëtojnë drejt Sukthit dhe Shijakut për të paguar faturat dhe kjo përveç kostos në kohë dhe transportit, mbart dhe një kosto social-ekonomike veçanërisht për familjet e varfra dhe ato me anëtarë invalidë dhe të moshuar.


 


Irritimi për Gjirin e Lalzit


Ndasia “disa të nënës dhe disa të njerkës” është një tjetër problem që shqetëson banorët e fshatrave Rrushkull, Hamalle dhe Perlat, pasi situata është e njëjtë në të gjithë zonën për sa i përket nivelit të arkëtimeve, por Gjiri i Lalzit furnizohet normalisht me energji elektrike. Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë në këtë situatë të pakuptimtë, që po dëmton jetën e komunitetit dhe imazhin e turizmit në plazhet e zonës, ndërsa kompania çeke hesht, duke shmangur përballjen me banorët. Burime zyrtare nga kompania CEZ bëjnë me dije se në zonë është ndërprerë energjia në 28 kabina elektrike dhe 694 abonentë.