Këshilli i Legjislacionit, pas një mbledhjeje maratonë që ka zgjatur për 11 orë, ka rrëzuar në parim draftin e propozimeve të ardhura nga Partia Socialiste lidhur me ndryshimet kushtetuese. Drafti i PS ka marrë 16 vota kundër dhe 11 vota pro të anëtarëve socialistë të këshillit, të pranishëm në votimin e zhvilluar në fund të mbledhjes. Ndërkohë që kundërshtitë kryesore lidheshin me propozimin për votimin e me tre të pestat të kryeprokurorit dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
PD rrëzon propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese
Partia Demokratike refuzoi propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimet Kushtetuese dhe paralajmëroi rrëzimin e tyre në Komisionin e Ligjeve. Në raportin e paraqitur nga relatorja demokrate e çështjes në fjalë, Paulina Hoti para Këshillit të Legjislacionit thuhet se propozimet e Partisë Socialiste dobësojnë rendin kushtetues në vend.
Për demokratët, ndryshimet e propozuara nga opozita cenojnë procedurat demokratike në Kuvend dhe ofrojnë bllokimin institucional. Në raport thuhet gjithashtu edhe se këto propozime dobësojnë rolin e opozitës.
Por socialistët hodhën poshtë pretendimet e demokratëve. Sipas tyre, këto propozime garantojnë pavarësi më të madhe të sistemit të drejtësisë.
Gjatë seancës së sotme dëgjimore, që zgjati rreth pesë orë, ekspertët e ftuar dhanë mendime për paketën kushtetuese e propozuar nga opozita, e cila lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të cilësuar e jo më me shumicë të thjeshtë.
Sipas konstitucionalistëve që diskutuan lidhur me nismën e socialistëve, e cila kërkon zgjedhjen me shumicë të cilësuar të organeve kushtetuese, është jo e favorshme që kjo nismë të ndërmerret tani. Ajo kërkon kohë, pasi sipas tyre, e formuluar sipas draftit të sotëm nuk zgjidh problematikën në drejtësi dhe nuk është garanci për institucione cilësore drejtësie.
14 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)