Partia Socialiste ka vendosur të votojë në seancën e të martës paketën kushtetuese për imunitetet. Vendimi u morr sot në mbledhjen e radhës së grupit kuvendor të PS, së drejtuar nga Gramoz Ruçi pas mungesës së kryetarit Edi Rama, i cili është nisur për në Bruksel. Vendimi u morr vetëm një orë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Në mbledhjen e kësaj të fundit, maxhoranca u shpreh dakord për hedhjen në votim, por socialistët kërkuan të konsultohen me grupin e tyre parlamentar.


Pritet që nesër rreth orës 11:00, ketë një takim mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozit dhe Gramoz Rucit ku pritet të vendoset edhe për paketën e propozimeve të PS, të cilat me 16 vota kundër dhe me 11 pro, u rrëzua nga Këshilli i Legjislacionit pas seancës dëgjimore me grupet e interesit.


Ndërkohë më herët, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit.  Kështu nesër në orën 11:30 do të  mbahet seanca në Kuvend, në të cilen pritet të miratohet edhe heqja e imunitetit, cilësuar si një kusht i rëndësishëm për integrimin e vendit në BE.


17 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)