Zgjedhjet


Obama denoncon industrinë e makinave në Kinë, Pekini ankohet për tarifat doganore


Kina dorëzoi një ankesë formale në Organizatën Botërore të Tregtisë ndaj një ligji amerikan që vendos tarifa doganore për mallrat kineze që qeveria amerikane beson se janë prodhuar përmes subvencionimeve shtetërore. Vendimi kinez erdhi një ditë pasi Uashingtoni njoftoi se nuk i pëlqente mbështetja që Pekini u jep prodhimit të makinave dhe pjesëve të këmbimit për makinat.


Presidenti Barack Obama është mburrur gjatë fushatës se një nga punët më të mira që ka bërë në mandatin e parë ka qenë shpëtimi i industrisë amerikane të makinave përmes financimit nga qeveria, gjë që mbajti në punë mbi 1 milion amerikanë. Debatet tregtare me Kinën duket se synojnë tërheqjen e vëmendjes së publikut mbi këtë fakt. Ankesa e Kinës prek rreth 30 produkte kineze që sot janë të ngarkuara me tarifa doganore në SHBA. Në mars të këtij viti, Kongresi i SHBA-së miratoi një ligj që i lejon të vendosë tarifa doganore për mallra të prodhuara në Kinë dhe Vietnam, në rast se vëren se këto mallra kryejnë konkurrencë të pandershme ndaj produkteve amerikane.


Kina thotë se ndërhyrja amerikane qe e pavend dhe anashkalonte mekanizmin e vendosur nga Organizata Botërore e Tregtisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.