Mjekët e spitalit të Camp Bastion, bazës britanike në Afganistan, janë mësuar të bëjnë operacione, mjekojnë plagë dhe të përballojnë emergjenca të çdo lloji. Por dje janë gjetur të papërgatitur përpara një lindjeje të parakohshme. Një ushtarake, e cila pretendon se nuk e dinte se ishte shtatzënë, ishte shtruar për shkak të dhimbjeve të forta në stomak dhe më pas ka pasur lindje të parakohshme. Fëmija, është i pari që ka lindur në Afganistan nga një ushtarake britanike.
Disa ditë më parë, baza britanike e ngritur në rajonin e Helmand u sulmua nga talebanët dhe gruaja, e cila është pjesë e Brigadës së 12 të Royal Artillery, ishte në shërbim aktiv. Ministria e Mbrojtjes Britanike kërkon të ruajë anonimatin e gruas, e cila ndodhet në Afganistan që prej 6 muajsh, çka nënkupton se ajo ka qenë shtatzënë kur ka shkuar në bazën ushtarake. Nëna dhe fëmija janë mirë, por meqenëse Camp Bastion nuk ka repart pediatrik ata do të vizitohen nga një ekip mjekësh të një spitali në Oxford, që pritet të mbërrijnë sot në Afganistan. Më pas ata do të transportohen për në Angli.
Gjatë viteve të fundit, 70 ushtarake britanike kanë zbuluar se janë shtatzënë ndërsa ndodheshin me shërbim në Afganistan dhe janë rikthyer menjëherë në atdhe, ashtu siç parashikon rregullorja. Gjatë luftës në Irak, 102 janë rikthyer në atdhe për të njëjtën arsye.
20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)