Dhoma e Avokatisë  në Elbasan ka organizuar një protestë përpara Gjykatës së Rrethit, duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore,  deri në një afat të pacaktuar. Shkak është bërë arrestimi i avokatit Bujar Dyrmishi, i  cili u arrestua  nga policia një ditë më parë, pasi goditi në zyrën e tij gjyqtarin Xheladin Karkini, gjatë një  sherri banal. Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Elbasanit, Jani Vaso, u shpreh se ndalimi i Dyrmishit është antiligjor dhe në kundërshtim  me çdo dispozitë  ligjore. Vaso akuzon policinë për ushtrim dhune fizike ndaj kolegut të tyre. Avokatët kanë kërkuar marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë  ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini, sepse  në mënyrë të përsëritur ai krijon përplasje me ta. Sipas tyre nëse nuk merret asnjë masë ndaj gjyqtarit Karkini, atëherë  do të pezullohen të gjitha seancat Gjyqësore, qofshin ato edhe masa arresti. Bujar Dyrmishi, ish Kryetari i Gjykatës së Librazhdit, është arrestuar pasditen e së mërkurës, pasi dyshohet të ketë goditur në zyrë Xheladin Karkinin, në momentin që ky i fundit ka tentuar ta nxjerrë jashtë zyrës me forcë.


20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)