Një i ri shqiptar është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Athinë. Sipas informacioneve që vijnë nga policia greke, viktima është një 28-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije, ndërsa të dhënat e para tregojnë se kemi të bëjmë me një atentat të përgatitur paraprakisht ndaj të riut.
Ai është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona me motor në momentin që ndodhej në automjetin e tij dhe kishte ndaluar në një semafor. 28-vjeçari ka humbur menjëherë jetën si rezultat i breshërisë së armës, ndërsa policia ka gjetur në vendngjarje 10 gëzhoja.
Policia e vendit fqinj ka nisur menjëherë hetimet lidhur me krimin, por paraprakisht, nisur edhe nga dinamika e ngjarjes, dyshohet se bëhet fjalë për një larje hesapesh, duke qenë se 28- vjeçari shqiptar kishte precedentë të mëparshëm penal dhe rezultonte i dënuar 6 vjet më parë për vjedhje, po në Athinë.
21 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)