E diela, 23 shtator, është afati i fundit i regjistrimit on-line të gjithë atyre të rinjve që janë shpallur fitues në universitete. Të gjithë kandidatët do të kenë afat deri nesër në orën 24:00 për të bërë regjistrimin e tyre, pasi në të kundërt, edhe nëse duan të vazhdojnë në një preferencë më lartë, do të quhen të skualifikuar nëse nuk janë regjistruar njëherë on-line.
Drejtoresha e Përgjithshme e Arsimit të Lartë, Edlira Lati, ka kërkuar respektimin e afateve nga kandidatët, pasi në të kundërt rrezikojnë të humbasin të drejtën e studimit. “Moskryerja e regjistrimit në afatin e përcaktuar do të krijojë daljen e këtij maturanti nga lista, mosshpalljen e tij fitues në listat përfundimtare, pra nuk i mundëson vazhdimin e studimit në institucionin publike të arsimit të lartë. Të gjithë maturantët kanë në dispozicion shërbimin e internetit dhe portalin, të gjithë informacionin në faqen zyrtare të Ministrisë për të kryer këtë regjistrim deri në datën 23, ora 24.00”, tha Lati. Nga 27 mijë të rinj fitues, deri më tani janë regjistruar vetëm 20 mijë.
Pas shpalljes së listës së fituesve, do të ketë një raund tjetër për kuotat e mbetura bosh. Ndërkohë, që lista përfundimtare e fituesve do të shpallet në 1 tetor, një javë para nisjes së vitit të ri akademik.
22 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)