Një sherr mes disa personave, përfshi 4 efektivë policie, ka ndodhur ditën e sotme në qendër të Tiranës. Si rrjedhojë e sherrit kanë mbetur të plagosur 3 persona, 2 nga të cilët efektivë policie. Ngjarja ka ndodhur pasi një autobus që transportonte punëtorët e një kompanie pijesh freskuese, me targa TR 3270 F i ka prerë rrugën një makine policie tip BMW, e cila siç sqarojnë burime nga uniformat blu, ishte në ndjekje të një personi në kërkim.


Me gjithë thirrjen e policisë për të ndaluar, drejtuesi i autobusit ka vijuar rrugën duke gërvishtur makinën e policisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, ndërsa në konfliktin e forcave të policisë me shoferin e autobusit janë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshi edhe shoferin dhe fatorinon e autobusit urban të linjës Kamëz-Tiranë që ndodhej në vendngjarje, gjë që ka bërë që përleshja të degjenerojë, duke përfunduar me plagosjen e shoferit të autobusit, Martin Curri i cili është dërguar për ndihmë në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Sipas policisë së Tiranës, si rezultati përleshjes dhe përdorimit të mjeteve të forta kanë mbetur të plagosur edhe 2 efektivë policie si dhe janë thyer xhamat e autobusit dhe automjeteve të tjera që ndodheshin pranë.


Ndërkohë, të gjithë personat e përfshirë në sherr janë shoqëruar më pas në Komisariatin numër 3 për të dhënë sqarime rreth rrethanave të ngjarjes, si dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht atë çfarë ndodhi në sy të dhjetëra qytetarëve, në mes të kreyqytetit.


27 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)