Rikthehen negociatat, synohet të merret hua me interes të butë për të shlyer kreditë e larta


ARD KOLA


Berisha & Banka BoteroreKur e gjithë vëmendja është përqendruar te diskutimet e qeverisë shqiptare me fondin monetar ndërkombëtar, në kuadër të marrëveshjes së artikullit IV, një tjetër operacion po kryhet nga Ministria e Financave me Bankën Botërore. Ashtu krejt papritur, kur palët i kishin mbyllur diskutimet afro 7 muaj më parë, duke mos arritur asnjë marrëveshje, tani me ardhjen e FMN-së duket se diçka po realizohet.


Gazeta “Shqip” ka mundur të sigurojë detaje të një pakti të ri të mundshëm mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për realizimin e financimit në shuma që arrijnë deri në 150 milionë dollarë. Këto para i nevojiten qeverisë për të siguruar likuiditet me synim shlyerjen e kredive me kosto të lartë. “Diskutohet të merret borxh nga BB-ja me kosto të ulët, afat 30-vjeçar për të shlyer kreditë me kushte jo të favorshme, afatshkurtra”, thonë për gazetën burime nga pala shqiptare negociatore.


Nga ana e BB-së, mësohet se disponibiliteti për të ndihmuar qeverinë tonë ka qenë i gatshëm, madje edhe disa muaj më parë, kur palët nuk ranë dakord. Banka ishte e gatshme të jepte deri në 300 milionë dollarë, por me kushtin që Ministria e Financave të rishikonte planin e shpenzimeve në buxhetin e tre viteve të ardhshme, me synim reduktimin e borxhit në të paktën 57 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, nga 59.6 për qind që është aktualisht, si dhe mbajtjen e deficitit në 2.5 për qind, nga 3 për qind, niveli aktual miratuar në buxhetin 2012.


Të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrol” kanë qetësuar disi “shpirtin” e huadhënësit, BB-së dhe me shumë gjasa mund të pranojë realizimin e marrëveshjes. Edhe FMN duket e kënaqur për rezultatin e shitjes së kompanisë më të madhe në vend të prodhimit të naftës, aq sa dhe bisedimet e deritanishme janë zhvilluar nën frymën e “mirëkuptimit”.


 


Plani 2013


Investimet – Për vitin e ardhshëm, Ministria e Financave planifikon të investojë rreth 70 miliardë lekë, ose gati 3 miliardë lekë më shumë


Financimi – Sipas projektimeve, është menduar që 70 për qind e investimeve publike të financohen nga burime të huaja, pra me borxh


Pakti – Ajo çfarë diskutohet me Bankën Botërore lidhet me mundësinë e marrjes së një kredie me kushte të buta, 50 milionë USD


 



Borxhi, pranë kufirit të riskut


Planet e dy viteve më parë të Ministrisë së Financave tregonin për një borxh publik në ulje graduale, të paktën deri në 57 për qind, në raport me prodhimin e brendshëm bruto (GDP). Nevoja për financim, investimet e nisura, si dhe fushata e ardhshme parlamentare, e kanë detyruar qeverinë të rishikojë tani në muajin gusht planin kuadër makro-fiskal, duke synuar një mbajtje të borxhit sa më afër kufirit të pranuar, prej 60 për qind të GDP-së (59.6 për qind), deri në vitin 2015.


Aktualisht, borxhi publik e ka kapërcyer nivelin e 800 miliardë lekëve dhe synohet që në vitin 2013 m kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet, të arrijë në rreth 875 miliardë lekë, ose 50 miliardë lekë më shumë. I gjithë debati mes analistëve të fushës, mbështetur nga ekspertët e opozitës, lidhet me aftësinë paguese të qeverisë për shlyerjen e borxheve. Për këtë vit, vendi ynë deri në fund të 2012-s ka planifikuar të shpenzojnë rreth 50 miliardë lekë për shërbimin e borxhit (interesat), ndërsa mendohet që kostot të rriten akoma e më shumë.