Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Laçit.
Sipas burimeve nga policia lokale, në orët e para të mëngjesit të sotëm është qëlluar me armë zjarri automatike mjeku Arben Bruka, i cili mban edhe postin e drejtorit të shëndetit publik në Laç.
Mësohet mjeku Bruka, i cili është edhe pronar i një farmacie në qytet, ishte duke hapur derën e saj në momentin kur është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Bruka është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë, ndërkohë që ende nuk dihen autorët e plagosjes së mjekut.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me profesionin e Brukës.
2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)