Procesi


Manovra me amnistinë fiskale i solli buxhetit të ardhura ekstra


Amnistia fiskale nuk përfshinte vetëm faljen e detyrimeve të biznesit, por i jepte mundësi edhe individit të rivlerësonte pronën, kundrejt pagesës së tatimit 1 për qind, nga 10 për qind që është e caktuar në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.


Kjo manovër solli dyndje të individëve në sportelet e hipotekave në të gjithë vendin. Deri në dhjetor 2011 kur ishte afati i fundit, në hipoteka u paraqitën rreth 24 mijë individë, ndërsa shteti arkëtoi 1.2 miliardë lekë. Duke parë leverdinë, Ministria e Financave e shtyu afatin deri në muajin mars, por rishikoi edhe çmimet referencë të metrit katror, duke i rritur ndjeshëm në disa zona të Tiranës, si dhe në qytetet kryesore.


Formula e rivlerësimit bazohej pikërisht te çmimet referencë që vendoste qeveria, në bazë të zonave, nga hipoteka bënte llogaritjet dhe zbritjet. Me rritjen e çmimeve, sidomos për zonën e ish-bllokut, por edhe në lagje të tjera, si pasojë e nevojës së tregut, u justifikua ministria, hipotekat volën më shumë të ardhura për llogari të buxhetit të shtetit.


Rezultati finali solli për arkën e shtetit plot 2.5 miliardë lekë të ardhura, ndërsa ekonomia formalizoi prona me vlerë 250 miliardë lekë. Afro 75 mijë prona u rivlerësuan deri në fund të muajit gusht, afati i tretë dhe final i vendosur nga qeveria, me pretekstin se po u jepte një shans emigrantëve.


Ministria e Financave deklaron se shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit nga data 31 mars në datën 31 gusht rezultoi të ishte një masë e suksesshme e qeverisë, duke saktësuar se vetëm gjatë katër muajve të shtyrjes së afatit, e cila përkonte me periudhën e muajve prill-korrik, janë rivlerësuar rreth 10.628 pasuri të paluajtshme dhe se tatimi i mbledhur nga ky proces, ishte 458 milionë lekë.


A.K