Një tjetër sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit marijuanë është sekuestruar mbrëmjen e sotme në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke shënuar operacionin e tretë antidrogë në këtë zonë për ditën e sotme.
108 kg marijuanë janë sekuestruar mbrëmjen e sotme në kilometrin e 8 të aksit Kakavijë-Janinë, ndërkohë që është bërë edhe arrestimi i një 26-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, i cili po transportonte me makinën e tij sasinë e lëndës narkotike për në vendin fqinj.
Sipas informacioneve të policisë greke, 26-vjeçari po vinte me makinë nga kufiri i gjelbër i Gjirokastrës në kohën që është ndaluar, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në automjet i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe një armë zjarri kallashnikov.
Gjatë ditës së sotme janë sekuestruar edhe dy ngarkesa të tjera me lëndë narkotike që mendohet se vinte nga Lazarati, një sasi prej 159 kg dhe 244 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë.
9 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)