Një njeri nga Tibeti vdiq dje pasi i kishte vënë zjarrin vetes në shenjë proteste ndaj sundimit të Kinës në atdheun e tij, njoftuan aktivistët për të drejtat e Tibetit. Tamdrin Dorjee vrau veten pranë manastirit Tsoe në një rajon në Kinën Veriperëndimore. Aktivistët thanë se në zonë ka gjithnjë e më shumë prani ushtarake të kinezëve, të cilët kanë rrethuar manastirin. Më shumë se 50 vetë i kanë vënë flakën vetes që nga viti 2009. Shumë prej tyre besohet se kanë vdekur, por Kina nuk lejon gazetarët të raportojnë mbi këto protesta, gjë që e bën të pamundur verifikimin.
Kate Saunders nga Fushata Ndërkombëtare për Tibetin, i tha BBC se murgjit nga manastiri Tsoe dhe banorët vendës po luteshin për të vetësakrifikuarin.
Udhëheqësit e Kinës akuzojnë udhëheqësin shpirtëror në ekzil Dalai Lama për frymëzim të akteve të vetësakrifikimit dhe si nxitës të separatizmit. Dalai Lama e mohon këtë gjë dhe thotë se protestat janë shkaktuar nga shtypja e lirisë fetare të Tibetit nga qeveria kineze.
