Kryeministri Berisha, i cili po merr pjesë në Kongresin Statutor të Partisë Popullore Europiane (EPP), që po zhvillohet në kryeqytetin rumun Bukuresht, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Kancelaren e Republikës Federale Gjermane, Angela Merkel.


Kryeministri Berisha i shprehu kancelares Merkel vendosmërinë e qeverisë për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Europian për dhënien e statusit, në dhjetor të këtij viti.

Ai e vlerësoi si një arritje shumë të madhe propozimin e bërë nga Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat.


Gjatë këtij takimi, Kryeministri përfitoi nga rasti për ta ftuar personalisht Kancelaren Merkel për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Kancelarja gjermane e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe u shpreh se do shqyrtonte me interes propozimin për statusin dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.


Kongresi Statutor i Partisë Popullore Evropiane (EPP), është Kongresi i 21-të i organizmit politik më të madh e influent europian, i cili përfshin 74 parti europiane anëtare të EPP nga 39 vende, 17 vende anëtare të Bashkimit Europian dhe 6 vendeve jo anëtare, aspirante për në BE, Presidentin e Komisionit Europian, Presidentin e Këshillit Europian dhe Presidentin e Parlamentit Europian, 13 anëtarë të Komisionit Europian dhe është grupi më i madh në Parlamentin Europian.

18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)