Taulant Balla*


Kryeministri i vendit është katandisur si mos më keq. Nuk e pret askush në asnjë vizitë apo takim zyrtar. I ndodhur në Bukuresht në Kongresin statutor të PPE, Sali Berisha nxitoi të prodhonte “takimin” e munguar prej vitesh me kancelaren e djathtë gjermane Merkel. Sipas Berishës, në Bukuresht ai zhvilloi takim dhe shkëmbeu mendime me kancelaren gjermane, e cila në takim (për të 9 herë që nga viti 2005) e garantoi se do të vizitojë Shqipërinë.


Por le t’u referohemi njoftimeve zyrtare. Kancelarja Merkel qëndroi në Bukuresht 150 minuta (2 orë e 30 minuta) për shkak të angazhimeve në Berlin. Ajo nuk zhvilloi takim zyrtar me asnjë autoritet të lartë rumun, përfshirë edhe Presidentin Basescu, mikpritësi i Kongresit të PPE. Merkel mori fjalën për 10 minuta në Kongres, mori pjesë në fotografinë zyrtare të eventit dhe u largua. Pra zonja Merkel nuk paska zhvilluar asnjë takim bilateral. Nëse Berisha pretendon se e ka takuar, a ka mundësi të thotë sa minuta ka zgjatur takimi? Është e turpshme që Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur, gënjen në këtë mënyrë. Nuk është çështja e turpit të Saliut, sepse ai ka humbur çdo ndjesi morale dhe diplomatike të këtij niveli. Turpi rëndon mbi imazhin dhunuar të shtetit shqiptar nga një kryeministër që nuk e pret më askush.


Në fakt, Saliut i duhet të shpikë kësilloj takimesh të pandodhura. Kundërshtari i tij, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka pasur në javët dhe muajt e fundit një axhendë të plotë diplomatike të denjë për një kryeministër. Vetëm në tre javët e fundit, Edi Rama është takuar me Presidentin amerikan Barak Obama, ka zhvilluar vizita zyrtare në Zagreb dhe në Bukuresht, ku u takua me autoritetet më të larta të vendit. Në Kroacinë fqinje, lideri i opozitës Edi Rama u prit në takime nga Presidenti Josipoviç dhe Kryeministri Milanoviç, ndërsa në Rumani, vend mik tradicional me Shqipërinë, kryeministri në ardhje Edi Rama pati takime të mirëfillta zyrtare me Kryeministrin Ponta dhe Kryetarin e Parlamentit Zgonea. Sali Berisha ishte në vizitë në Bukuresht dje, si ka mundësi që nuk u prit në takime zyrtare nga autoritetet më të larta të vendit të sipërpërmendura, ndërkohë që me Rumaninë duhen shtuar kontaktet në dobi të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Por rolin e munguar të Kryeministrit ende në detyrë po e kryen kryeministri në ardhje Edi Rama. Gjatë muajit shtator, Rama u takua dy herë me komisionerin për zgjerimin Fule, me drejtuesit më të lartë të Parlamentit Europian, Schulz, Swoboda, Martinez, Pittella etj., në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Me kërkesë të Edi Ramës, socialistët europianë, të cilët drejtojnë aktualisht Parlamentin Europian, mbështesin fuqishëm hapin e rëndësishëm drejt statusit kandidat dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë në tërësi. Popullorët ku partia e Berishës ka statusin e vëzhguesit janë ende të zhytur në euroskepticizëm për qëllime elektorale në vendet përkatëse. *Deputet i PS-së