Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla vijoi edhe ditën e sotme në denoncimin e privatizimeve të jashtëligjshme sipas PS që po u bëhet pronave të ushtrisë. Balla deklaroi se ushtria shqiptare në këto tre vitet e fundit është zhveshur nga pronat e paluajtshme dhe shumë toka në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes janë shitur. 


“I kemi bërë publike repartet ushtarake në vijën bregdetare që do të shiten. Këto troje mund të shfrytëzoheshin për nevoja sociale”, u shpreh Balla.


Sipas tij, pronat që ka shitur Imami janë dhënë me një çmim shumë larg vlerës së tyre reale dhe se ato mund të krijonin të ardhura edhe për dëmshpërblimet e ish-pronarëve. Ai premtoi se me ardhjen në pushtet, PS do të bëjë transparencë lidhur me këto privatizime.


“Pronat që po shiten janë të shqiptarëve dhe Partia Socialiste nuk do të lejojë që të përfitojë Qeveria. Nga viti 2013 do të bëhet transparenca e plotë e pronave që grabiti ky pushtet”, – u shpreh Balla.


23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)