Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney, janë përplasur ashpër lidhur me disa çështje të politikës së jashtme gjatë debatit të tretë dhe të fundit televiziv, që u mbajt mbrëmë vonë në Boca Raton të Floridës, ndërsa duket se peshora këtë radhe ka anuar nga presidenti në detyrë, Obama.


Gjatë 90 minutave të debatit, presidenti Obama është përpjekur ta paraqes rivalin e tij Mitt Romney, se nuk është i gatshëm të jetë president, ndërsa Romney tha se udhëheqja e Obamës e ka bërë Amerikën më të dobët në skenën botërore.


Por, kishte edhe pikëpamje identike për disa çështje të politikës së jashtme amerikane.Në këtë kuadër, ata të dy shprehën përkushtim për ta mbrojtur Izraelin dhe për ta parandaluar Iranin nga prodhimi i armatimit atomik.


Lidhur me Afganistanin, të dy kandidatët janë pajtuar se tërheqja e forcave të jashtme duhet të bëhet sipas planit deri në fund të vitit 2014. Ata e kanë pranuar se Shtetet e Bashkuara kanë probleme në raportet me Pakistanin.


Sipas sondazheve paraprake të opinionit, Obama u shfaq më bindës gjatë debatit të  tretë dhe të fundit me rivalin e tij për kreun e Shtëpisë së Bardhë, në një kohë kur ndodhen 15 ditë para zgjedhjeve presidenciale.


23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)