Lezhë
Një pjesë e personave të cilët trajtohen me pagesë paaftësie në Komunën e Kolshit nuk e kanë tërhequr shumën e parave që në muajin gusht. Janë rreth 227 persona që trajtohen me pagesë paaftësie, si handikap, para dhe tetraplegjikë apo të verbër. Kryetari i Komunës së Kolshit, Ferdinand Ndoj, theksoi se shkak është bërë mosakordimi i fondeve nga ana e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Sipas tij, vitet e kaluara fondi për këtë kategori personash ka qenë vjetor, ndërsa sivjet shpërndarja është bërë me faza. Në Komunën e Kolshit nuk ka mbërritur ende fondi i pagesës së paaftësisë për 3-mujorin e fundit. Fondi vjetor është 234 milionë lekë, e ndërsa ai mujor është 76.7 milionë lekë. Kjo sipas Kryetarit të Komunës Kolsh ka vënë në vështirësi pushtetin vendor, pasi sivjet i janë prerë të gjitha grantet dhe fondet. Ndoj theksoi se i është bërë shkresë zyrtare zyrës rajonale të Shërbimeve Sociale Shtetërore për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani nuk ka mbërritur asnjë fond, ndërkohë që personat janë në pritje të pagesës mujore të paaftësisë. Banorët që përfitojnë këtë pagesë paaftësie janë sorollatur sa në prefekturë ashtu edhe në komunë dhe në zyra të tjera përgjegjëse, të cilët thonë që fondi në komunë ka mbërritur. Por, nga ana tjetër, Ndoja deklaron se këto janë llafe boshe, pasi nuk ka asnjë fond të mbërritur për këtë kategori. Ai u bëri thirrje instancave përgjegjëse të të gjejnë menjëherë zgjidhjen e kësaj çështjeje. A.B