Maminasi, në rrethin e Durrësit, ishte ndalesa e radhës e kreut të opozitës Edi Rama nga ku është takuar me fermerë dhe blegtorë të zonës në vijim të prezantimit të programit ‘Për një Rilindje për Fshatin’.


Ujitja e munguar, taksat, nafta e shtrenjtë dhe pamundësia për të nxjerrë në treg produktet vendase ishin tematikat e diskutimit mesa Ramës dhe fermerëve. Fillimisht kryesocialisti është ndalur në një fushë të mbjellë me vreshta, ku problem mbetet kostoja e prodhimit, e cila sipas fshatareve është më e lartë se sa fitimi, duke e vënë në një dileme të madhe pronarin e saj nëse duhet të vazhdojë këtë aktivitet, apo ta braktisë atë.


Kreu i PS-së në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga fermerët e zonës i ka garantuar ata se programi ‘Për një Rilindje Shqiptare’ ka në qendër të tij fshatin shqiptar.


“Ata që sot që janë në Qeveri e kanë braktisur përfundimisht fshatin. Zgjidhja e problemit të ujitjes, ulja e kostos së prodhimit, duke ulur taksën e imputeve e duke hequr akcizën e naftës, si dhe krijimi i mundësive për daljen e prodhimeve në treg, do të bëjnë që bujqësia dhe fermeri shqiptar të fitojnë rilindjen e tyre ekonomike”, premtoi Rama.


26 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)