Projektligji për përgjimet në telekomunikacion është miratuar ditën e sotme në komisionin e ligjeve vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa kopsita ka abstenuar. Ndryshimet e miratuara ditën e sotme u japin kompetencë edhe prokurorive nëpër rrethe për të realizuar përgjime në raste të caktuara. Që në nisje, mbledhja e komisionit të ligjeve është karakterizuar nga debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, pasi sipas tij çështja në fjalë është shumë sensitive, ndaj edhe drafti duhet të shihet me shumë kujdes në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi që mund të pasojë prej tij. Sipas Xhafës, në disa raste institucionet kanë bërë përgjime të paligjshme, që përbëjnë një shkelje të të drejtave të njeriut. Deputetët e PS, Xhafaj dhe Felaj ju referuan me këtë rast përgjimeve të paligjshme, që sipas tyre u bënë ndaj përfaqësuesve të opozitës dhe ambasadorëve të akredituar në vendin tonë më 21 janar 2011.
Ndërkohë, deputeti i PD, Dashnor Sula është përgjigjur me faktin se ndryshimet e propozuara nuk kanë të bëjnë me ndonjë abuzim dhe se pa firmën e kryeprokurorit nuk mund të realizohen përgjime, duke hedhur poshtë pretendimet e PS për përgjime të paligjshme ndaj tyre.
29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)