Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur pasditen e sotme emrat që do të jenë pjesë e Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie. Në më pak se 24 orë nga mbyllja e votimeve, LSI bëri publike listën e gjatë të emrave, në të cilën nuk mungonin dhe emrat më të spikatur të LSI-së, si Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Pëllumb Pipero, Petrit Vasili, Shezai Rrokaj, Viron Bezhani, Sokol Dervishaj, Ylli Manjani, Spartak Braho etj.
Klajda Gjosha, kryetare e komisionit të votimit në një dalje publike për mediat ka sqaruar se në përfundim të procesit të votimit i zhvilluar në mënyrë elektronike, rezultojnë të zgjedhur anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar 180 persona që kanë marrë më shumë vota nga 282 kandidatë që ishin në listë. Ndërkohë sipas statutit të partisë, hynë automatikisht në komitet drejtues kombëtar 75 persona. Në Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim morën pjesë 2209 delegatë, nga të cilët kanë votuar 2107.
29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)