Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me erë të fortë, kanë shkaktuar përmbytje dhe mungesë energjie në disa qytete të vendit. Kështu moti i keq thuajse ka pezulluar punën në Portin e Durrësit. Puna është paralizuar në sektorin e ngarkim-shkarkimit, ndërsa tragetet janë nisur me 9 orë vonesë drejt portit të Barit. Mësohet se dy tragete që duhej të niseshin mbrëmjen e së mërkurës në orën 23.30 janë nisur vetëm pas orës 9.00 të mëngjesit të ditës së sotme. Vonesa ka edhe për tragetet e tjerë në vijim.


Burime nga Kapitaneria e Portit të Durrësit kanë bërë të ditur se drejtimi i erës është nga juglindja me forcë 6 ballë, ndërsa shpejtësia e saj për momentin është 12 metër në sekondë. Për shkak të kohës së keqe është pezulluar përkohësisht edhe lundrimi i anijeve tregtare të tonazhit të mesëm dhe të vogël. Ndërsa në Portin e Vlorës nuk ka pasur problem brenda gjirit të tij, por priten vonesa në mbërritjen e trageteve për shkak të dallgëzimit në mes të detit.


Ndërkohë në Barbullojë të Lezhës raportohet se 150 ha tokë bujqësore e mbjellë dhe 50 shtëpi janë përmbytur nga uji, si pasojë e daljes jashtë funksionimit të hidroforit të Tales. E njëjta situatë është dhe në zonat e Spiten, Rrile, Myltë. Ndërsa në qytetin e Korçës, dëmtimi dhe bllokimi i kanalit të Gjançit ka përmbytur shëtitoren “Fan Noli”, unazën dhe rrugicat në veri të qytetit. vetmja mënyrë për shmangien e përmbytjes së qytetit mbetet mirëmbajtja e këtij kanali që më parë mblidhte ujërat e larta të vargmalit të Moravës dhe të fshatit Mborje.


Reshjet e shiut kanë krijuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit, ku si pasojë e rrëshqitjes së dherave në rrugë janë bllokuar akset Përrenjas-Librazhd, Librazhd-Murrash, Elbasan?Peqin. Me ndërhyrjen e ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve janë zhbllokuar akset nacionale ndërsa mbetet i vështirë qarkullimi në aksin rrugorë Librazhd-Murrash. Po ashtu në rrugët e qytetit të Elbasanit ka pasur problem për shkak të përmbytjeve ku më kritike ka qenë situata në segmentin e unazës jugore.


1 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)