Ndërron jetë në spitalin e Barit, në Itali, Lirak Bejko, ish i përndjekuri politik që u vetëdogj më 10 tetor, në ditën e 19 të grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, e cila zgjati 1 muaj me radhë.
Lajmi për vdekjen e tij bëhet i ditur nga i vëllai, i cili ndodhej bashkë me Bejkon në Bari, ku ai ishte dërguar për një mjekim të specializuar për shkak të djegieve të rënda që kishte pësuar në trup dhe fytyrë.
47-vjeçari Lirak Bejko i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj mosplotësimit të kërkesave të ish të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin që u takon me ligj, jashtë çadrave ku mbahej greva e ish të përndjekurve, pasi kishte lyer trupin me benzinë. Akti i tij i vetëflijimit ndodhi vetëm dy ditë pasi një tjetër ish i përndjekur, Gjergj Ndreca kishte kryer të njëjtin akt me të, ishte vetëdjegur.
Rama: “I shokuar nga vdekja jo natyrale. Bejko s’pa dritë të bardhë, as nën regjimin e Enverit dhe as të Saliut”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se është i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që nuk arriti t’i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë.
“Është tragjedia e një familjeje të varfër, që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës, as në kohët e zymta të Sali Berishës”, thotë Rama.
Sipas kreut të PS-së, është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta.
Edi Rama deklaron se kjo është tragjedia e një kauze të drejtë, përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë, po aq çnjerëzisht sa ç’sillej edhe ai regjim, kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje edhe më keq, deklaron Rama, sepse i burgosuri, që i mbijetoi dhunës së atij regjimi, nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie.
Lideri i opozitës thotë se Lirak Bejko është shqiptari i 31-të, që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit.
Në reagimin e tij, lideri i opozitës thotë se, të gjithë ata kanë qenë njerëz të zakonshëm të këtij vendi, që sot nuk jetojnë më, pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen.
AK: Bejko, viktimë e regjimit të Berishës
Edhe Aleanca Kuqezi ka reaguar për ndarjen tragjikisht nga jeta të ish të përndjekurit politika, Lirak Bejko.
Në një komunikatë për mediat, AK thotë se Bejko është një martir i demokracisë që do të frymëzojë gjithmonë revoltën për liri. Bejko, thuhet më tej, është viktima e radhës e mbjellë nga regjimi i Berishës i cili për këtë veprime duhet të ndëshkohet.
AK shton se ish i përndjekuri Bejko do të nderohet si Hero i Demokracisë.
FRD: Viktima e një pushteti as demokratik dhe as europian
Ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Lirak Bejkos u ka dërguar edhe Fryma e Re Demokratike. Në deklaratëne FRD-së thuhet se Bejko sakrifikoi rininë e tij në demokraci. “Një pushtet i ndërtuar mbi viktima, nuk është as demokratik dhe as europian”, thuhet më tej në deklaratë.
2 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)