Kopja dixhitale e restauruar ka çelur Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar në kinemanë “Millenium”. Publiku ka duartrokitur në shenjë mirënjohje ndaj regjisorit Viktor Gjika dhe aktorit Sandër Prosi, të larguar nga kjo jetë


Oliverta Lila


Restaurimi i “Nëntorit të Dytë” ka kushtuar rreth 60 mijë euro. Kopja dixhitale e restauruar është shfaqur mbrëmjen e së shtunës në ceremoninë e çeljes së Festivalit të 13 të Filmit Shqiptar. Tapeti i kuq përgjatë gjithë rrugës pedonale, interpretimi i Bandës së Tiranës, posterat e filmave artistikë, kanë qenë elementë të atmosferës. Në sallë kanë qenë disa nga protagonistët e filmit, përfshirë edhe aktorin Robert Ndrenika, si president i këtij festivali. Në sytë e Drita Pelinkut, Margarita Xhepës, Tinka Kurtit ka pasur edhe përlotje kur në ekranin e madh është shfaqur fotografia e regjisorit Viktor Gjika, i ndarë nga jeta në vitin 2009 dhe e aktorit të madh Sandër Prosi, ndërkohë që publiku ka duartrokitur në shenjë mirënjohje. Para shfaqjes së filmit, Artan Minarolli, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, ka thënë se ky festival është mbarëshqiptar, duke mos u ndalur vetëm brenda territorit gjeografik. “Kinemaja jonë e re dhe e brishtë, por e mbështetur nga tradita e gjatë, po bën përpjekje për t’u përfshirë në tablonë e madhe botërore”, theksoi në fjalën e tij Minarolli. I pranishëm në ceremoninë e çeljes, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, theksoi se “kinemaja është një nga mitet më të magjishme dhe instrumentet më të fuqishme artistike dhe ne kemi nevojë si popull të shikojmë historitë tona kolektive në këtë ekran, kemi nevojë t’i tregojmë botës se kush jemi dhe nuk ka mjet tjetër artistik më të fuqishëm se kinemaja”. I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha. Dy minuta me imazhet “e vjetra” e pastaj në ekranin e madh janë shfaqur pamjet e para të filmit të restauruar. Ngjyra të forta, imazhe të pastra dhe gjithçka dukej sikur ishte xhiruar me teknologjinë e fundit. “Qëllimi ynë përfundimtar është që të ruajmë filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin e tij origjinal, në 35 mm. Ajo që ju patë në natën e hapjes së festivalit ishte një restaurim në format dixhital, vetëm faza e parë e projektit. Ne filluam procesin në fund të gushtit, kur Arkivi dërgoi në laboratorët ‘Coloralb’ në Washington DC të gjithë elementët e filmit që do t’i nënshtroheshin restaurimit, megjithëse patëm vështirësi sepse pakoja peshonte rreth 45 kilogramë dhe kushtuan rreth 1 mijë dollarë. ‘Nëntori i Dytë’ kishte disa probleme teknike dhe degradime të materialit filmik, por jo në nivelin e disa filmave të tjerë që ndodhen në Arkivin e Filmit si ‘Ballë për Ballë’, ‘Liri a vdekje’, ‘Vajza me kordele të kuqe’, ‘Në shtëpinë tonë’, etj. Problemi kryesor i ‘Nëntorit të Dytë’ qëndronte të ngjyrat që ishin zbehur dhe te regjistrimi origjinal i zërit”, është shprehur Regina Longo, specialistja amerikane, e cila është rikthyer pas tre muajsh, kohë në të cilën nisi projekti. E pyetur nëse ky projekt do të vazhdojë, drejtoresha e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti, theksoi se për momentin duhet të kënaqen me atë që kanë arritur me “Nëntorin e Dytë”, por duke shtuar se me ndihëm e projektit “The Albanian Cinema Project”, ngritur nga kineastët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, me ndihmën e specialistëve të AQSHF-së, veçanërisht Eriona Vyshkës që ka punuar mbi këtë film, do të arrijnë ta vazhdojnë këtë nismë.



Si President Nderi i festivalit, aktori i njohur ka mbajtur fjalën e çeljes


Robert Ndrenika: T’i kthejmë sytë nga kinemaja


Të nderuar zotërinj ministra, të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituar në Tiranë, të nderuar kineastë, aktorë dhe ju dashamirës të skenës dhe ekranit, kam nderin që të prezantoj Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë si President Nderi. E kam pranuar këtë titull honorifik me kënaqësi, jo vetëm sepse kam lidhur jetën time me skenën dhe ekranin, por edhe sepse ky festival që po fillojmë është vazhdim i shumë festivaleve që janë bërë më parë, i shumë e shumë artistëve të skenës dhe të ekranit, disa prej të cilëve nuk jetojnë sot, të cilët kanë parakaluar në këtë tapet të kuq. Ky festival na kujton mbresat e paharrueshme nga regjisorët dhe aktorët tanë më të mirë, na hap rrugën për të vazhduar më tej me brezat e rinj. Kinematografia është një art i madh kolektiv ku secili luan rolin e tij qoftë si aktor, regjisor, kameraman apo montazhier. Të gjithë janë të përkushtuar për krijimin e një bote të re të krijuar që e bën spektatorin të ëndërrojë, të shpresojë, të entuziazmohet, të mësojë. Ky art është shumë masiv, ka pushtuar gjithë mendjen dhe imagjinatën e njerëzve. Modeli i jetës sonë, gëzimet, hallet, emocionet, konfliktet, personazhet, fisnikëria, tradhtia, pabesia, burrëria dhe triumfi i së mirës; ja çfarë është ky art i madh. Të gjithë e duan filmin, por janë të shumtë edhe ata që duan ta krijojnë atë. Ka ardhur koha që t’i kthejmë sytë më shumë, duhet ndihmuar më shumë, duhen ndihmuar artistët e kinemasë. Duhet të ndërtojmë rrugët tona shpirtërore, ka ardhur koha që të diskutojmë më shumë për personalitetin, komunikimin, humanizmin, për zakonet tona të bukura. Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe uroj që të vlerësohen akoma më shumë njerëzit e skenës dhe ekranit. I uroj suksese organizatorëve dhe të gjithë atyre që ndihmuan që të realizohet kjo ngjarje e rëndësishme për kinematografinë tonë në muajin e bukur të 100-vjetorit të Pavarësisë.