Koordinatorja rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters ka shprehur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të borxhit të jashtëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Shqipëri me 60 për qind të GDP, gjë që sipas saj është ndikuar edhe nga rënia e remitancave dhe ulja e eksporteve si pasojë e krizës në eurozonë.
“Borxhi në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri është në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht në Shqipëri në 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, por është duke u rritur me shpejtësi në Serbi dhe Mal të Zi”, – thekson Armitage.
Sipas saj, Ballkani Perëndimor është duke u përballur me recesion dhe rigjenerimi i ekonomisë në vitin 2013 prite të jetë shumë i ngadaltë. Ky parashikim pesimist vlen edhe për atë që konsiderohet si ekonomia më e madhe e rajonit, Serbia, që pritet të pësojë një tkurrje të ekonomisë në 2, 5 për qind.
Kjo situatë, sipas koordinatores së Bankës Botërore, vjen për shkak të rënies së eksporteve dhe investimeve direkte të huaja si rezultat i krizës së borxheve në Eurozonë dhe për shkak të tkurrjes së remitancave nga qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit.
Armitage i është referuar edhe ekonomisë së Kosovës, si shteti më i ri në rajon, i cili megjithëse vend i vogël, nuk ka pasuar rënie të ndjeshme të ekonomisë dhe kjo sipas saj, për shkak të nivelit të ulët të borxhit dhe investimeve të shumta në infrastrukturë.
6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)