Bulqizë


Shpërthim në minierë, humb krahun minatori


Shpërthimet e pakontrolluara në miniera kanë sjellë sërish plagosjen e rëndë të një minatori, i cili ka humbur krahun, duke mbetur invalid për të gjithë jetën. Aksidenti, tepër i paralajmëruar, ka ndodhur në galeritë e Bulqizës dhe vjen pas atij të ndodhur ditë më parë në një nga galeritë private në Krastë të Martaneshit, ku nga shpërthimi i pakontrolluar i një granate, humbën jetën dy minatorët Vehbi Stafa, 58 vjeç dhe Ermal Elezi, 28 vjeç. Ditën e djeshme, i njëjti aksident ka ndodhur në një nga galeritë private të zonës D, e cila cilësohet si më e pasigurta në këtë minierë. Si pasojë e shpërthimit të një granate, është aksidentuar minatori Mynyr Velia, 65 vjeç, babai i katër fëmijëve. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se pas mbarimit të turnit të parë, minatori, në tentativë për përgatitjen e frontit të punës për turnin e dytë, nga shpërthimi i parakohshëm i një granate, është aksidentuar me pasojë humbjen e njërit krah dhe dëmtimin e njërit sy. Me ndodhjen e aksidentit, minatori u nxor nga galeria prej shokëve të punës dhe është dërguar për mjekim në spitalin e Bulqizës. Në mungesë të mjekëve në këtë spital, ai është transportuar me helikopter drejt Tiranës. Sipas burimeve nga spitali mësohet se i plagosuri ka humbur njërin krah, por është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi i ekspertëve të policisë gjyqësore për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë. Galeritë e zonës D, në minierën e Bulqizës janë cilësuar si më të pasigurtat për punë. Përkundër këtij konstatimi, këtu ushtrojnë aktivitetin e tyre dhjetëra firma private kromi me dhe pa licencë. H.L.


 


Lezhë


Del nga shinat treni i linjës Tiranë-Shkodër


Treni i udhëtarëve të linjës Tiranë-Shkodër ka dalë nga shinat sapo ka lënë stacionin e Lezhës, por fatmirësisht pa u shënuar ndonjë i lënduar. Vagoni i fundit ka dalë jashtë binarëve në hyrje të tunelit, ndërkohë që treni po përgatitej për të marrë shpejtësi. Ky moment ka ndihmuar makinistin për të frenuar shpejt duke mbajtur në hekurudhë pjesën tjetër të vagonëve ku kishte edhe pasagjerë. Ekspertë të drejtorisë së hekurudhave po analizojnë shkaqet e këtij aksidenti hekurudhor, ndërsa nga hetimet e para bëhet e ditur se një defekt në karretën e fundit është bërë shkak për devijimin jashtë shinave të vagonit. Pas 30 minutash, treni i linjës ka nisur sërish rrugën drejt Shkodrës duke lënë në Lezhë vagonin e fundit. Burime nga Drejtoria e Hekurudhave kanë bërë të ditur se po punohet për të vënë në hekurudhë vagonin e dalë nga shinat dhe se linja do të jetë e hapur sërish, duke filluar që nga dita e nesërme. A.B.