Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka mbledhur ditën e sotme një sërë drejtuesish të institucioneve kryesore, pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë, si ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe kryeprokurorja Ina Rama për të diskutuar në lidhje me reformën në sistemin gjyqësor.
Objekt i kësaj tryeze do të jetë Reforma në sistemin gjyqësor si dhe sfidat që burojnë nga rekomandimet në Progresin-Raportin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012.
Në fjalën e tij në nisje të kësaj tryeze, kreu i shtetit i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të gjejë konsensusin për miratimin e 3 ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian duke kërkuar prej tyre që të arrijnë të përmbushin ëndrrën europiane të shqiptarëve pas 100 vjetësh.
“Tre projektligjet kanë një rëndësi të madhe për integrimin e vendit në bashkimin Europian. Klasa politike duhet të kurorëzojë atë që u nis 100 vjet më parë”, – tha Nishani.
Duke iu referuar emërimit të gjyqtarëve, Nishani kërkoi që kjo të bëhej në bazë të meritës së secilit dhe aftësisë për të përçuar vlerat e gjyqësorit.
Kushdo që punon në gjykatë duhet të përfaqësojë vlerat e gjyqësorit. Vetëm personat që garantojnë këto vlera mund të përçojnë tek qytetarët imazhin e një gjyqësori efikas”, shtoi presidenti Nishani.
Edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka kërkuar nga klasa politika që të gjejë konsensusin për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga KE-ja dhe veçanërisht ligjin për Gjykatën e Lartë. Ai ka kujtuar faktin se këtë javë skadon edhe afati që BE i ka lënë vendin tonë për miratimin e këtyre tre ligjeve të rëndësishme, ndër të cilët ai për Gjykatën e Lartë do të bënte të mundur rritjen e transparencës në sistemin gjyqësor.
“Këtë javë skadon edhe afati që Bashkimi Europian ka dhënë për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili është hartuar me konsulencën e EURALIUS, i kërkuar nga opozita dhe i konsultuar me palët e interesit. Është një ligj që e bën Gjykatën e Lartë të pavarur dhe të paanshme pasi depolitizon të gjitha emërimet në Gjykatën e Lartë. Klasa politike duhet të miratojë këtë ligj që e bën sistemin gjyqësor më të pavarur, më të paanshëm dhe i shërben gjithë sistemit të drejtësisë”, tha Halimi.
Ministri i Drejtësisë kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për të bërë të mundur realizimin e reformës në drejtësi, e cila sipas tij ka një rëndësi të madhe për të rritur eficencën në këtë sistem, por edhe për të evidentuar vlerat e vërteta mes gjyqtarëve.
Javën e kaluar presidenti Nishani zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme, takime gjatë të cilave u diskutua si më konsensuale nga të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në bisedime data 23 qershor, megjithatë kjo datë ende nuk është dekretuar nga kreu i shtetit.
12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)