Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka pritur sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Rama ka përshëndetur progresin e arritur nga shteti i Kosovës në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, si dhe avancimin lidhur me njohjet e reja ndërkombëtare. Kreu socialist shprehu vullnetin e palëkundur të partisë që ai drejton, për të intensifikuar marrëdhëniet midis të dy vendeve në të gjitha fushat si dhe vazhdimin e përpjekjeve intensive për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Nga ana e tij numri 1 i diplomacisë kosovare ka përcjellë përshëndetjet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe falenderoi Partinë Socialiste për angazhimin e saj në drejtim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj përshëndeti progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke vënë dukje rolin thelbësor që ka luajtur Partia Socialiste në këtë proces.
12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)