Tekstet shkencore 


Aranita Brahaj


Shume tekste shkencore që përdoren si pjesë e programit akademik në Universitetet Shqiptare kanë nivel të dobët shkencorë, mungesë përditësimit me akte ndërkombëtare, mbartin definicione të gabuara e në rastin më të keq kanë përmbajtje diskriminuese. Institutit Shqiptar i Shkencave AIS, një organizatë jofitimprurëse ka çelur një fushatë ku akademikë, profesionist dhe student të fushave përkatëse janë të ftuar të denoncojnë raste të tilla dhe të kontribuojnë për përmirësime konkrete.


Për fat të keq niveli dhe impenjimi akademik në universitetet tona publike vitet e fundit lë shumë për të dëshiruar. Vetë titullarët më shumë se ne debate për nivelin shkencorë dhe për cilësinë programeve dhe kurikulave janë të përfshirë në angazhime elektorale të marrjes dhe posedimit të një titulli në katedrat përkatëse. Kongrese shkencore për debat dhe mendim akademik në dy dekadat e fundit kemi konstatuar vetëm në rastin e Fakultetit të Filologjisë. Komentarët në Fakultetin e Drejtësisë po kthehen gjithmonë e më shumë në tekste të vjetra dhe të munguara. Rast tipik është E drejta Penale Pjesa e Posaçme, ku prej dy dekadash mungon impenjimi për komentuare me grup autorësh, dhe proces të certifikuar shkencor. Kontributi i një autori të vetëm të nderuar si prof. Ismet Elezi është i pamjaftueshëm për të siguruar një doktrinë shkencore e aftë ti përgjigjet nevojave të gjyqësorit dhe në tersi të drejtës shqiptare. Tekste që u ofrohen studentëve shpesh janë iniciativa të pedagogëve të lëndëve dhe në kopertona nuk gjen në asnjë rast certifikimin e institucionit akademik. Në rastin e teksteve për punonjës të të drejtës duhet të jetë Shkolla e Magjistraturës apo Fakultete të Drejtësisë. Natyrisht që puna për të realizuar një komentar është e vështirë, impenjative kërkon kohë, mbështetje financiare e ndër të tjera edhe vullnet institucional që duhet të jetë sfidë e katedrave apo departamenteve.


Iniciativa e AIS do të zgjerohet jo vetëm në modelimin e denoncimeve dhe debatit publik mbi cilësinë e teksteve akademike, por edhe me veprime konkrete si takime sensibilizuese me titullar të kërkimit shkencor dhe institucioneve arsimore; bashkëpunim me shoqata të tjera; si dhe iniciativa konkrete për aplikimin e inovacionit në dobi të shpërndarjes dhe aksesit në tekste të mirëfillta shkencore. Pjesë e kësaj iniciative është njoftimi i organizmave ndërkombëtar dhe përfaqësive diplomatike që monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut për rastet me përmbajtje diskriminuese.