Prokuroria e kryeqytetit ka konfirmuar se këtë të premte ka dërguar fletë-thirrjen e radhës në adresën e  gjyqtarit Neritan Tabaku për ta pyetur për llogari të hetimeve që janë hapur ndaj tij, edhe pse deri më tani organi i hetimit ka dështuar në tentativat e tij për ta pyetur.


Një burim konfirmoi për Top Channel se nga të gjitha pikat e kalimit kufitar rezulton se Neritan Tabaku gjatë kësaj periudhe nuk ka dalë jashtë vendit çka do të thotë se gjyqtari ndodhet në Shqipëri. Burimet shtuan  se javen qe vjen prokuroria ka shpresa të ketë përballë Tabakun për t’i drejtuar pyetjet për dy çështjet për të cilat ai po hetohet e konkretisht për vonesat e zbardhjes se vendimin e Ilir Xhakjes dhe të Jordan Findikut, dosje që janë mbajtur mbi një vit pa u arsyetuar.


Hetimet ndaj ish gjyqtarit po zhvillohen për dyshimet e shpërdorimit të detyrës por edhe pse prokuroria ka depozituar një seri dosjesh e dokumentesh në Gjykatën e Durrësit, ende nuk ja ka dalë mbanë të kryejë një ndër veprimet më të rëndesishme hetimore sikurse është marrja në pyetje e tij. Prokuroria paralajmëroi jo zyrtarisht për Top Channel se nëse gjyqtari nuk paraqitet tre ditë pasi dorëzohet kjo fletë-thirrje, atëhere do të merren masa të tjera sikurse zhvillimet e hetimeve në mungesë, apo edhe marrja si i pandehur në mungesë.


Një ditë më parë edhe KLD shfrytëzoi mediat për të njoftur gjyqtarin Tabaku që të paraqitet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në një mbledhje të posaçme që do të ketë në rend dite pikërisht kërkesën e Ministrisë për ta shkarkuar nga detyra. Kjo kërkesë ende e pashqyrtuar vjen në një kohë kur gjyqtarit Tabaku i është hequr imuniteti dhe është pezulluar nga detyra.