Teksa kanë mbetur dhe 3 ditë nga afati i fundit për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE për marrjen e statusit të plotë të vendit kandidat, Kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi ka ftuar opozitën që të ulet në Komisionet Parlamentare për t’i kaluar projektligjet.
“Të mos e shndërrojmë në peng çështjen e statusit. Ne jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë për 3 projektet që Brukseli pret prej nesh. Ne nuk i shmangemi debatit e ballafaqimit. Parlamenti është tryeza më përfaqësuese. Grupi i PD mirëpret çdo sugjerim të palës tjetër, ndërsa bëjmë çdo lëshim të kërkuar prej tyre. Ne mirëpresim çdo propozim dhe jemi të hapur për cdo ndryshim nëse opozita na e jep këtë mundësi. Ne biem dakord për lirimin e të burgosurve, por nuk arrijmë të biem dakord për miratimin e tre ligjeve të rëndësishme që do t’i hapnin rrugë integrimit të vendit”, tha Patozi në një dalje publike.
Sipas tij, asgjë nuk mund ta justifikonte në të ardhmen mosvotimin e reformave dhe për rrjedhojë humbjen e statusit, sidomos në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
17 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)