Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka nisur ditën e sotme takimet konsultative me krerët e grupeve parlamentare për postin e kryeprokurorit të ri.


Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se këto takime kanë për qëllim evidentimin e vlerave më të mira që përfaqëson figura e ardhshme e kreut të akuzës, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.


Takimi i parë është ai me kreun e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i cili ka nisur në orën 10.00. Në orën 11:00 është planifikuar një takim me kreun e grupit socialist, Gramoz Ruçi; në 12:00 me Lefter Kokën e LSI e më pas edhe me Fatmir Mediun, Vangjel Dulen e Shpëtim Idrizin.


Edhe në këto takime nuk do të jete pjesëmarrëse Fryma e Re Demokratike, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me deputetin Gazmend Oketën.

Këto takime konsultative për kreun e ri të akuzës vijnë pas konsultimeve që kreu i shtetit zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.


 


PBDNJ, Dule: Të arrihet konsensusi për kryeprokurorin e ri, përtej ndasive politike dhe afateve kohore


14:00 – rreth orës 14:00, ashtu siç ishte lajmëruar në axhendën e publikuar në faqen zyrtare të presidencës, presidenti Nishani është takuar me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Pas përfundimit të takimit, në një prononcim për mediat, Dule është shprehur se në këtë moment është e nevojshme që të arrihet një zgjidhje konsensuale përtej datave dhe pikëpamjeve politike për prokurorin e përgjithshëm. Sipas Dules, në një shtet europian sistemi i drejtësisë dhe më konkretisht prokuroria, përbëjnë epiqendrën e tij.


PR, Mediu: Kryeprokurori i ri të respektojë institucionet kushtetuese


13:00- Takimet e ditës së sotme të kreut të shtetit lidhur me emrin e kryeprokurorit të ri kanë vijuar me përfaqësuesin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Në përfundim të këtij takimi, kreu i PR ka deklaruar se për partinë që ai përfaqëson është me rëndësi që kryeprokurori i ri të jetë një person i aftë profesionalisht, por edhe që të dijë t’i respektojë institucionet gjatë ushtrimit të detyrës së tij.


LSI, Koka: Kryeprokurori i ri, jo nga politika


12:44 – Presidenti Nishani përfundon takimi me kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka. Më herët përfaqësues të LSI kishin deklaruar se kjo parti nuk do të propozonte ndonjë emër konkret në bisedimet me kreun e shtetit, por se kryeprokurori i ri sipas LSI duhet të jetë një person me integritet të lartë moral dhe profesional si dhe të mos vijë nga politika


Kryeprokurori i ri, FRD: Shkarkimi i Ina Ramës, antikushtetues


12:10 – Ndërsa janë duke u zhvilluar takimet konsultative të kreut të shtetit me partitë politike për emrin e ri të kryeprokurorit të ri, Fryma e Re Demokratike, e cila nuk është ftuar në këto takime, ka reaguar ditën e sotme, duke e cilësuar si antikushtetuese tentativën e mazhorancës për shkarkimin e kryeprokurores aktuale, Ina Rama.

Sipas Afrim Krasniqit, sekretari politik në FRD, mandati i kreut të akuzës përfundon në vitin 2013 dhe përpjekjet për të shkurtuar mandatin e saj janë shkelje e hapur e Kushtetues.


“Mandati nis në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, ato kanë hyrë në fuqi në maj 2008, kështu që edhe mandati zgjat 5 vjet deri në maj 2013. Çdo tentativë tjetër përbën një akt antikushtetues dhe zhvillim negativ të vendit në raport me shtetin e së drejtës. Ne japim mesazh negativ dhe krijojmë krizë politike, duke nënshtruar politikisht institucionin e fundit të mbetur jashtë kontrollit të maxhorancës”, theksoi Krasniqi.


Takimi Nishani-Ruçi, PS: Po shkelet Kushtetuta, mandati i kryeprokurores përfundon në 23 maj 2013, jo në nëntor


11:00 – Takimi i dytë në radhë i kreut të shtetit për emrin e kryeprokurorit të ri ka qenë ai me kreun e grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi. Takimi i cili ka nisur në orën 11:00, është zhvilluar në ambientet e presidencës dhe ka zgjatur për rreth 50 minuta.

Pas përfundimit të këtij takimi, Ruçi u shpreh për mediat se kishin diskutuar me presidentin në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit për mandatet dhe se në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një shkelje të kushtetutës për mandatin e prokurorit të përgjithshëm, pasi mandati i kreut aktual të akuzës përfundon në maj të vitit 2013 dhe jo në nëntor siç pretendon PD.


“Respektuam ftesën e presidentit për të ardhur në këtë takim konsultativ. Po ajo që na ndan prerazi është pikëpamja që kemi për mandatin e kryeprokurorit. Mandati i prokurores nuk përfundon më 22 nëntor, por më 23 maj të 2013. Kemi të bëjmë me shkelje të kushtetutës për mandatin e prokurorit të përgjithshëm”, theksoi Ruçi.


Përfundon takimi Nishani-Patozi, PD: Prokurori i ri, person me integritet moral dhe profesional. Të zgjidhet brenda nëntorit


10:00 – Takimi i parë i kreut të shtetit për emrin e kryeprokurorit të ri ka qenë me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.


Nuk dihet ende nëse Patozi gjatë konsultimeve me kreun e shtetit i ka propozuar atij ndonjë emër konkret për postin e kryeprokurorit të ri, por pas përfundimit të këtij takimi që ka zgjatur pak më tepër se gjysmë ore, Patozi ka theksuar se për PD-në e rëndësishme është që prokurori i përgjithshëm të jetë një person që vjen nga fusha e drejtësisë dhe të ketë integritet moral dhe profesional. Gjithashtu një nga kriteret për të cilat është shprehur Patozi ka të bëjë me kohën kur duhet të zgjidhet kreu i ri i akuzës çka sipas PS, duhet të bëhet brenda muajit nëntor.


“PD-ja kërkon që kryeprokurori të përmbushë me seriozitet detyrën dhe

të vijë nga sistemi i drejtësisë. Gjithashtu, PD-ja kërkon që kryeprokurori i ri të mos ketë pasur probleme me drejtësinë dhe implikime në të shkuarën”, – theksoi Patozi.


20 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)