Siri
Në sulmet e djeshme kanë vdekur rreth 151 persona
Forcat ushtarake besnike të Presidentit sirian Bashar al Assad, kanë rinisur bombardimet ajrore dhe sulmet e artilerisë së rëndë në rajonin e Damaskut, e më konkretisht në zonat Daraa dhe Aleppo. Lajmi është konfirmuar nga banorët e zonave të prekura, të cilët janë mbledhur në komitetet e koordinimeve lokale. Komitetet kanë raportuar se gjatë sulmeve të djeshme kanë vdekur rreth 151 persona, shumica e të cilëve civilë. Mes të vrarëve raportohen pesë fëmijë dhe tre gra. Ndërkaq dje në mëngjes, bombardimet kanë rinisur në Daraya e Muaddamiya, në periferi të Damaskut, banorët e të cilëve janë solidarizuar me revoltat antiregjim. Sipas dëshmive, Tel Shihab, qytezë në rajonin perëndimore të Daraa është goditur rëndë. Aviacioni qeveritar ka vënë në shënjestër lagjet në veri të Aleppo, të cilat prej disa javësh janë nën kontrollin e rebelëve. Sipas raportimeve nga Observatori sirian për të drejtat e njeriut, ofensiva e trupave qeveritare është përqendruar në distriktin qendror të Bab Sreijeh dhe Tadamon e Hajar Asëad, në jug të Damaskut. Ofensiva e forcave qeveritare vjen si kundërpërgjigje pas takimit në Doha të Katarit, ku fraksionet e përçara opozitare vendosën të bashkohen në një udhëheqje të vetme. Organizmi i dalë nga kjo mbledhje u njoh menjëherë si përfaqësia e vetme legjitime e popullit sirian nga gjashtë vendet e Gjirit Persik, më pas nga Turqia, Franca dhe Britania e Madhe. Sakaq drejt kryeqytetit sirian ka udhëtuar presidenti i Parlamentit iranian, Ali Larijani, i cili pritet të takohet me Presidentin Assad.