Telefonata
Një alarm fals për bombë ka shkaktuar panik në Gjykatën e Tiranës dhe si pasojë e kësaj janë paralizuar të gjitha seancat gjyqësore. Alarmi është dhënë paraditen e së mërkurës, rreth orës 10:30 të mëngjesit, nga një person ende i paidentifikuar. Burime nga policia bëjnë me dije se në sallën operative ka mbërritur një telefonatë anonime, që ka dhënë alarmin. Përtej receptorit është dëgjuar një zë mashkulli, i cili njofton policinë për vendosjen e një bombe, në ambientet e Gjykatës së Tiranës. Ai kishte gjetur pikërisht orarin më të përshtatshëm, për të shkaktuar kaos pranë gjykatës, e si pasojë e kësaj, janë pezulluar të gjitha proceset gjyqësore. Në këtë kohë gjykata ka lëvizje, prej seancave të shumta gjyqësore. Ende nuk dihet arsyeja se përse është dhënë një sinjal i tillë. Pavarësisht kësaj, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ata kanë vërejtur se telefonata është kryer nga një kabinë në kryeqytet, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar për autorësinë e telefonatës, apo arsyen e bllokimit të gjykatës për ditën e djeshme.