Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka lëshuar një lumë akuzash ndaj dy partive të mëdha PD e PS se janë përgjegjëse për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE si dhe për rritjen e korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme në vendin tonë. Deklaratat e Spahiut u bënë gjatë një aktiviteti të AK me degën e saj në Tiranë, ku ai theksoi se partitë e vjetra dhe liderët e tyre janë përgjegjës që sot Shqipëria, kombi më i vjetër në kontinentin europian mbetet jashtë dyerve të BE. Ky refuzim sipas kreut të AK, është një arsye më shumë për t’i ndëshkuar këta politikanë me votë të lirë në zgjedhjet e ardhshme.


“Europa i tha jo Shqipërisë, duke lënë kombin më të vjetër të kontinentit jashtë dyerve të BE-së. Ky është fundi i tranzicionit shqiptar që sot përkon me 22 dhjetorin e themelimit të PD-së që hyri në skenën politike me sloganin ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’. 22 vite demokratët dhe socialistët rreshtuan Shqipërinë të parën në trafiqe dhe korrupsion dhe të fundit në arritje institucionale. Demokratët dhe socialistët të dështuar në qeverisjen e tyre na lanë pas serbëve, malazezëve dhe populli duhet t’i ndëshkojë këta politikanë”, – deklaroi Spahiu.


Sipas tij, Berisha i ka shkelur të gjitha premtimet me të cilat erdhi në pushtet 8 vjet më parë, qoftë luftën ndaj korrupsionit, qoftë çështjen kombëtare, zhvillimin ekonomik apo integrimin në BE. Spahiu premtoi se AK do t’i realizojë të gjithë këto premtime me të ardhur në pushtet.


Aleanca Kuq e Zi sipas Spahiut, është e mobilizuar edhe me ndihmën e shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të sjellin ndryshimin e shumëpritur për kombin, duke zhdukur nga skena politike parti dhe politikanë të vjetër që sipas kreut të AK, i kanë bërë vetëm dëme kombit.


11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)