Ndërprerja e energjisë prej më shumë se tri ditësh ka nxjerrë në protestë qindra banorë të Laprakës pasditen e sotme. Banorët e kësaj lagjeje kanë bllokuar rrugën kryesore dhe u kanë vënë flakën kazanëve të plehrave në shenjë proteste, duke sjellë vështirësi të shumta për qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë.
Banorët shprehen të irrituar se, edhe pse i kanë paguar të gjitha faturat e energjisë elektrike dhe nuk janë debitorë ndaj CEZ, po vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë elektrike, duke mos mundur të plotësojnë dot as nevojat më imediate jetësore.
Ndërkohë, CEZ ka sqaruar se ndërprerja e energjisë në këtë zonë është bërë për shkak të një defekti të shkaktuar në kabllon kryesore që furnizon këtë zonë, për shkak të punimeve të kryera nga një firmë private.
Mungesa e energjisë elektrike, banorët bllokojnë Rrugën e Kavajës
Mungesa e energjisë elektrike në zonën e Rrugës së Kavajës ka sjellë reagimin e banorëve. Në shenjë proteste, dhjetëra banorë të kësaj zone kanë bllokuar për disa orë rrugën dhe u kanë vënë zjarrin koshave të plehrave, duke shkaktuar kaos në qarkullimin e makinave. Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, ndërkohë që banorët, të revoltuar shprehen se prej disa ditësh nuk kanë energji elektrike në shtëpitë e tyre, edhe pse i paguajnë rregullisht faturat. Disa pallate të zonës së Rrugës së Kavajës prej 7 ditësh janë pa energji elektrike për shkak të djegies së një transformatori, ndërkohë që sipas banorëve, CEZ nuk ka ndërhyrë për të rregulluar defektin.
13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)