Policia e Vlorë ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së mesditës së të enjtes në Gjorm të Vlorës. Burimet zyrtare sqarojnë se pas shumë orë kërkimesh u kap në malin e fshatit Cerqez Seferaj, 48 vjeç, i cili pas një debati për pronësinë e kullotave të fshatit plagosi rëndë kushëririn e tij, Nuri Seferaj.
51-vjeçari morri një plagë në këmbë, por për shkak të hemoragjisë ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Vlorës. Viktima dhe autori i dyshuar i vrasjes ishin të afërm dhe kullotat e tyre ishin pranë me njëra tjetrën. Pikërisht kufiri ndarës i tyre ka qenë edhe shkaku i debatit që përfundoi me vrasje.
Policia e shpalli në kërkim Seferajn menjëherë pas ngjarjes kur ai u largua në pyllin pranë fshatit. Për arrestimin e 48-vjeçarit u angazhuan në krehjen e zonës më shumë se 150 forca të policisë së Vlorës.
14 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)