Gjykata e Matit ka lënë të lirë për mungesë provash, dy kryetarët e Komunave Xibër e Gurrë, të cilët u arrestuan dy muaj më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh. Gjykata e Matit ka vendosur për ta masën detyrim paraqitjeje, ndërkohë që Prokuroria ka deklaruar se do të apelojë vendimin. Mësohet se çështja do të pushohet edhe për kreun e komunës Rukaj, Hamit Xhakrosa dhe shefat e financës, të komunave Baz e Rukaj, si dhe për dy shefat e financës në Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Spitalin Burrel.


Hamit Xhakrosa, me detyrë kryetar i Komunës Rukaj dhe Lutfi Ceka me detyrë kryetar i Komunës Xibër u arrestuan në 10 tetor të këtij viti me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ishin përfshirë në një skemë mashtrimi me fondet publike.


Prokuroria e Matit deklaroi në atë kohë se kishte zbardhur një rrjet vjedhjesh të fondeve publike nga ana e tre kryetarësh komunash, nëndrejtorit të spitalit Burrel dhe katër shefave të financave në komuna e spital. Të akuzuarit, nëpërmjet manovrimeve e falsifikimeve, duke përdorur fshehurazi edhe emrin e bashkëshortes së një tjetër kryekomunari, kanë përfituar mbi 530 milionë lekë, kryesisht të xhiruara për blerje te vogla, materiale, pajisje, shërbime operative, e pajisje të ndryshme. Hetimet për zbardhjen e këtij rasti abuzimi zgjatën rreth një vit.


19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)