Sarandë


Një trup i pajetë është gjetur dje pranë fabrikës së tullave në Krekëz të Sarandës. Sipas policisë, viktima është identifikuar si Nestan Tabaku, 64 vjeç, me origjinë nga Kavaja. Trupi i pajetë u gjet vetëm mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që dyshohet se ka ndërruar jetë dy ditë më parë. Sipas të dhënave të policisë lokale, ai është gjetur nga kalimtarë të rastit, në afërsi të fabrikës së tullave në Krekëz. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, të cilat kanë formuar një grup hetimor, ndërkohë që nga këqyrja e trupit nuk u gjetën shenja dhune. Në përfundim të hetimeve, policia tha se dyshon që 64-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit. Sipas policisë, mësohet se 64-vjeçari jetonte i vetëm nëpër rrugët e Sarandës. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Sarandës. Nga ana tjetër, blutë e Sarandës kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të Kavajës, me qëllim gjetjen e ndonjë familjari për tërheqjen e trupit të pajetë nga morgu i qytetit.