Ndërron jetë ish i përndjekuri politik, Shpëtim Karamuça. 74 vjeçari i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në banesën e tij.
Lajmi bëhet i ditur nga instituti i ish të përndjekurve politikë. Karamuça vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Ai ishte edhe pjesë e sekretariatit të AK për ish-të përndjekurit politikë.
Ish i përndjekuri Shpëtim Karamuça, ishte një ndër shembujt tipikë të kësaj shtrese të shoqërisë, i pastrehë, pa pension, me kancer në laring dhe me 26 vite burg mbi shpinë.
Rama: Fundi i grevës me kancerin në trup
Pas përhapjes së lajmit të dhimbshëm, ka reaguar kreu i selisë rozë, Edi Rama. Në rrjetin social Twitter ai ka shkruar:
“Vërtet i dhimbshëm lajmi i vdekjes së të burgosurit politik Shpëtim Karamuca-26 vjet burg e së fundi një grevë urie me kancerin në trup! RIP”.
AK: Shpëtim Karamuça “Mandela i regjimit komunist dhe atij post-komunist”
Aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë nderuar sot Sekretarin për të Përndjekurit Politik të Aleancës Kuq e Zi, z.Shpëtim Karamuca, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë. AK i ka shprehur ngushëllimet familjarëve, të afërmve dhe miqve të Shpëtim Karamuçës, i cili është cilësuar “Mandela i regjimit komunist dhe post-komunist”. “Karamuça vuajti nga të dyja regjimet diktatoriale dhe u nda nga ferri Berisha duke ndërruar jete”, u shpreh kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, teksa ftoi me mijëra kuqezinj për të mbajtur zi dhe për të larguar “Kabilën” e shqiptarëve mbas 23 Qershorit.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)