BE ashpërson masat kundër programit bërthamor të Teheranit
Sanksione të reja më të ashpra kundër sektorëve bankarë, transportit dhe industrisë së Iranit hynë në fuqi dje të vendosura nga Bashkimi Europian në përpjekje për të detyruar Teheranin të heqë dorë nga programi i vet bërthamor. Vendimi për sanksionet qe marrë në tetor dhe hyri në fuqi dje me publikimin në gazetën zyrtare.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e transaksioneve financiare, shitjet e pajisjeve dhe çelikut për transportin detar të këtij vendi, si dhe ndalimin e importimit të gazit natyror nga ky vend, ndalim që i shtohet naftës. Masat e reja tregojnë për shqetësimet në rritje mbi objektivat bërthamorë të Iranit, si dhe kërcënimet e Izraelit për bombardim të instalimeve të industrisë bërthamore të këtij vendi në rast se diplomacia nuk arrin të sjellë një zgjidhje.
Diplomatët thonë se shpresojnë që bisedimet me Iranin të rifillojnë në janar, por po presin për një përgjigje nga Teherani, i cili thotë se programi i vet bërthamor ka synime civile për prodhimin e energjisë elektrike. Por për shumë ekspertë është e qartë se një vend i pasur me gaz natyror, nuk ka shumë nevojë për energji bërthamore. Sanksionet i kanë shkaktuar gjithnjë e më shumë dhimbje ekonomisë së Iranit, megjithëse ky vend ka eksperiencë të gjatë në shfrytëzimin e hapësirave të sistemit ndërkombëtar që e lejojnë të vijojë biznesin pothuajse si zakonisht. BE ka vendosur përjashtime në embargon e vet vetëm për ndihmat humanitare, blerjet e ushqimeve dhe ilaçeve. BE ka vendosur kësaj here të shtojë në listën e kompanive dhe biznesmenëve edhe disa emra që rezultojnë se kanë shërbyer si agjentë ekonomikë të Iranit. Teherani është përpjekur të vijojë programin e vet bërthamor shpesh duke hapur bisedime me Europën dhe SHBA-në për të fituar kohë dhe pastaj duke u tërhequr nga bisedimet.