Regjistrimi nisi dje për Krishtlindje si kundërshtim ndaj statistikave zyrtare


Fatjona Mejdini


Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nisi dje procesin e regjistrimit të ortodoksëve në vend, si një formë kundërshtimi ndaj rezultateve të censusit të zhvilluar në Shqipëri, ku ky komunitet fetar konsiderohej se kishte 6.75% të popullsisë. Kjo ndodhi dje në kishën e re ortodokse në Tiranë, përpara se besimtarët të futeshin për të ndjekur meshën që drejtohet nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Atyre iu kërkua që të plotësonin një fletë ku nënshkruhej se ata ishin ortodoksë, përkrah emrit dhe mbiemrit të tyre. Konfirmimin se një proces i tillë kishte nisur e dha dje Jani Meni, punonjës i Kishës Ortodokse. “Ajo është një anketë që bëhet në kuadër të censusit, pasi Kisha Ortodokse mendon se ky proces nuk është i rregullt dhe i saktë. Aty janë bërë plotësime me laps, ose janë lënë bosh dhe besimi fetar është cilësuar si i parëndësishëm”, tha ai. Pak ditë më parë, në mënyrë zyrtare ortodoksët shqiptarë reaguan ndaj rezultateve të censusit të sapopublikuar nga Instituti i Statistikave. Me anë të një deklarate të firmosur nga këshilli kishtar kleriko-laik i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, bëhet e ditur se shifrat e dhëna mbi ortodoksët janë një “gënjeshtër”. Në deklaratën e publikuar, pas mbledhjes së organit ku bëjnë pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe priftërinj dhe laikë, përfaqësues të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive, theksohet: “Të dhënat e fundit, të shpallura zyrtarisht nga INSTAT-i mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në censusin e fundit të vitit 2011, shpallin se të krishterët ortodoksë në Shqipëri janë 6,75%. Padyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë për një gënjeshtër. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet europiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë fyen jo vetëm të krishterët ortodoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të komuniteteve fetare në Shqipëri”. Duke krahasuar dy regjistrimet bërë në vitin 1927 dhe 1942, theksohet se ortodoksët kanë qenë 20%, ndërkaq, duke folur për një analizë të bërë nga vetë Kisha Ortodokse Shqiptare, theksohet se numri i besimtarëve të krishterë ortodoksë që ata besojnë se janë në Shqipëri kap shifrën e 24%. “Sipas Këshillit të Europës, procedura e regjistrimit në lidhje me çështjen e kombësisë nuk është bërë sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht dhe duhet të përdoret ‘me kujdesin më të madh’ dhe të mos mbështeten ekskluzivisht në këto vendimet e autoriteteve politike”, theksoi në deklaratën e tij, Këshilli Klerikal i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që drejtohet nga Hirësia e Tij, kryepeshkopi Anastas Janullatos