Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten e tij, Liri Berisha janë rikthyer pas disa vitesh në Qendrën e Kujdesit për të Moshuarit në Tiranë për t’u uruar atyre një Vit të Ri sa më të qetë dhe të mbarë.
E veçanta e këtij viti, sipas Kryeministrit Berisha është realizimi i premtimit të dhënë gjatë takimit të fundit për të përmirësuar kushtet e jetës së të moshuarve në këtë shtëpi të përbashkët të tyre. Me një investim prej 50 milionë lekësh, Qendra e Kujdesit për të Moshuarit ka rritur cilësinë e kujdesit për ta, por ka rritur kapacitetet, duke futur edhe shërbimin ditor për moshën e tretë.
“Kur kam ardhur për herë të parë këtu, gjeta se 80 për qind të pensionit ju e depozitonit në shtëpinë ku rrini, për ushqim. Këtë raport ne e kemi ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Ne kemi rritur mbështetjen e gjithanshme për moshën e tretë. Ju uroj gëzuar Vitin e Ri! Uroj të gjithë të moshuarit e Shqipërisë kudo që janë. Ju siguroj se për ne, shtëpitë e të moshuarve, përmirësimi i tyre, përmirësimi i cilësisë së shërbimit do të jetë gjithnjë një përparësi madhore. E rëndësishme është që të sjellim në këto shërbime atë ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona”, tha Berisha.
Kryeministri gjeti rastin t’u bëjë thirrje bizneseve shqiptare që në një akt solidariteti të ndihmojnë sipas mundësive Shtëpitë e Kujdesit për të Moshuarit, fëmijët apo gratë me probleme të dhunës në familje. Kryeministri Berisha u shpreh se përveç ndihmës së shtetit, ky gjest bujarie do t’u tregonte këtyre shtresave në nevojë mbështetjen direkte nga qytetarët.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)