Shpërthimi i një bombole gazi ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një të treti, brenda së njëjtës familje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës, në lagjen “Qafëhardhi”.
Teksa ishin duke ngrënë darkë, bombola e gazit që shërbente për ngrohje në familjen Luca ka shpërthyer duke shkaktuar flakë. Disa prej familjarëve kanë arritur të dalin jashtë, por flakët kanë qenë të menjëhershme dhe të vrullshme. Si pasojë e tyre, nuk kanë mundur të dalin nga apartamenti Dedë Luca dhe vajza e tij, Silvana. Atë e bijë, përkatësisht 53 dhe 14 vjeç, kanë humbur jetën, ndërsa e zonja e shtëpisë, Silvana, ka marrë plagë të shumta. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia në bashkëpunim me forcat zjarrëfikse kanë bërë të mundur fillimisht lokalizimin e flakëve dhe më pas shuarjen e tyre. Menjëherë është ngritur një grup hetimor, i cili do të zbardhë shkaqet zyrtare të rënies së zjarrit.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
