Palët mbeten larg kompromisit katër ditë nga mbërritja te shkëmbi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po ecin drejt greminës fiskale, pasi shanset për një marrëveshje u dobësuan edhe më shumë gjatë ditës së djeshme pavarësisht përpjekjeve të Presidentit Obama. Gremina fiskale konsiderohet rritja automatike e taksave dhe ulja automatike e shpenzimeve buxhetore që do të ndodhë më 1 janar për shkak të skadencës së disa ligjeve. Për të shmangur këtë, republikanët dhe demokratët duhet të arrijnë në një marrëveshje, por të dyja palët nuk kanë ndër mend të lëshojnë pe.
Duke folur në Senat, demokrati Harry Reid tha se nuk ka kohë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje para afatit final që është e hëna në darkë, dita e ndërrimit të viteve. Senatorët dhe Presidenti Barack Obama po vijojnë përpjekjet, për të arritur qoftë edhe një shtyrje të përkohshme të skadencës së ligjeve, por marrëveshja duket shumë larg.
Më 1 janar, shumë familje amerikane do të përballen me rikthimin e tatimeve mbi të ardhurat personale që kanë paguar para kohës së Presidentit Bush i ri, i cili vendosi ulje të përkohshme taksash për të gjithë amerikanët e pasur. Kjo do të rrisë të ardhurat në buxhet në mënyrë spektakolare, por ndërkohë, edhe konsumi i amerikanëve pritet të reduktohet ndjeshëm, gjë që mund të zhysë vendin në recesion ekonomik. Obama kërkon që taksat të rriten për amerikanët që fitojnë mbi 400 mijë dollarë në vit, ndërsa republikanët kundërshtojnë me vendosmëri dhe kërkojnë që qeveria të ulë shpenzimet dhe programet e saj shoqërore. Republikanët nuk u bindën as për rritjen e taksave për familjet me të ardhura mbi 1 milion dollarë në vit, të cilat përbëjnë vetëm 0.18 për qind të familjeve amerikane.
Në total, amerikanët do të paguajnë mbi 500 miliardë dollarë taksa më shumë, ndërsa qeveria do të ulë shpenzimet me rreth 100 miliardë dollarë. Programet shoqërore që skadojnë të hënën synonin të paguanin njerëzit e mbetur pa punë nga kriza për një kohë më të gjatë nga sa garantohet nga ligjet për sigurimin nga papunësia.