Plot 10 mijë banorë të dy komunave të Kukësit prej më shumë se 10 ditësh nuk mund të komunikojnë me qytetin për shkak të rrëshqitjes së dherave që kanë bllokuar të vetmen rrugë. Apelit të tyre për zhbllokimin e situatës nuk i është përgjigjur askush, ndërkohë që së fundi është kryetari i Komunës së Shishtavecit që kërkon ndihmë. Sipas Deliman Nelës, mënyra që kanë zgjedhur banorët për të marrë ushqimet nga qyteti nëpërmjet një tuneli të improvizuar është mjaft e rrezikshme. “Kjo rrugë tashmë jo vetëm është e pakalueshme, por është shumë e rrezikshme për jetën e banorëve. Kemi arritur në konkluzionin se aty duhet një ndërhyrje e madhe inxhinierike, terreni është shumë e vështirë, sasia e gurëve është e lartë, dhe tashmë po presim një zgjidhje dhe nga ministria, që rruga të jetë e kalueshme. Për momentin rruga është shumë e vështirë dhe e pakalueshme dhe shumë e rrezikshme”, thotë Deliman Nela, kryetar i Komunës Shishtavec. Banorët e dy komunave, Shishtavec e Topojan, për të hyrë apo dalë nga fshati detyrohen që të kalojnë përmes një tuneli, që është një kanal për grumbullimin e ujërave që shfrytëzohen për hidrocentralet e prodhimit të energjisë elektrike.